Dy net më parë RENEA, FNSH dhe policitë vendore zhvilluan një operacion blic thuajse në të gjithë vendin për të kapur personazhet e njohur të botës së krimit që janë në kërkim.
Operacioni për kontrollet e banesave nuk është mbështetur në vendim gjykate, por ka qenë “sekret” me urdhër nga lart të drejtorit të policisë Muhamet Rrumbullaku nga frika e dekonspirimit.
Zbarkimi nisi nga Shkodra për personazhet në kërkim, mes tyre Bajram Çekorja, por nuk u zbulua asgjë. Kontrolle të shumta ka pasur edhe në zonën e Kurbinit dhe Fushë-Krujës për gjetjen e gjurmëve për Ervis Martinajn dhe personave të tjerë të botës së krimit, por pa rezultat. “Blic” edhe në Shijak dhe Durrës për kapjen e Aleksandër Lahos ose sikur njihet nga të gjithë “Rrumi i Shijakut”, por sërish asgjë.
Talo dhe Suel Çela në Elbasan shpëtuan sërish. Vetëm në Vlorë policia nuk doli duarbosh. Sali Zeneli i dënuar me 6 vite burgim për ngjarjen e ndodhur në 3 mars 2021, ku në rrugën “Transballkanike” mbeti i vrarë kushëriri i tij, Taulant Manaj u arrestua. Operacioni i beftë mund të cilësohet dështim.