Bosnje e Hercegovina pritet që më 13 dhjetor të marrë statusin e vendit kandidat nga Bashkimi Evropian.
Në tetor, Komisioni Evropian rekomandoi statusin kandidat për Bosnjën por listoi një sërë kushtesh që duhen plotësuar.
Kushte të cilat kanë synim të forcojnë demokracinë e këtij shteti të Ballkanit Perëndimor.
Komisionari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhelyi u shpreh në tetor se vendimi final për këtë vend pritet të merret në muajin dhjetor.
Rekomandimi për Bosnjën u tha se është i kushtëzuar, pasi Komisioni pret plotësimin e tetë kushteve specifike.
Kushte të cilat lidhen me miratimin e ligjeve për gjykatat dhe prokurorinë, parandalimin e konfliktit të interesit, lirinë e shprehjes dhe migracionin.
Komisioni është organi i cili këshillon se cilat shtete duhen të marrin statusin e kandidatit por nuk janë ata të cilët marrin vendimin e fundit.
Vendimi përfundimtar e marrin 27 shtetet anëtare dhe ato duhet të marrin vendim unanim.
Shtete si Austria, Kroacia dhe Sllovenia kanë kërkuar që Bosnjës t’i mundësohet procedurë e shpejtë.
Shtete të tjera si Holanda janë shprehur kundër zgjerimit edhe pse pushtimi rus i Ukrainës ka thyer rezistencën për shkak të shqetësimeve të sigurisë për Evropën si tërësi.