Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç deklaroi sot se do t’i dërgojë kërkesë komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR-it për të dërguar deri në 1000 forca të sigurisë në Kosovë.
Por çfarë thotë rezoluta 1244, ku pretendon se bazohet Serbia? “5pyetjet.al” bisedoi me ekspertin e sigurisë, Nuredin Ibishi nga Kosova. Ai tha se KFOR-i do ta rrëzojë këtë kërkesë, pasi është e dyta që bëhet dhe nuk ka bazë.
“Pala serbe, Vuçiç i ka ngritur ekstremistët e vet në veri të Kosovës. Ai ka thënë se do të bëjë një kërkesë KFOR-it për rikthim të ushtrisë, por është një paralajmërim i kotë. Kjo është hera e dytë që ndodh. Në bazë të rezolutës 1244 nuk ka të drejtë të rikthimit në asnjë mënyrë.
Ky është kërcënim. Dhe po paragjykon që përgjigja e kërkesës do të jetë negative. Në 2003 Zoran Xhinxhiç ka bërë një kërkesë të tillë dhe është refuzuar. Në veri të Kosovës veprojnë grupet ekstremiste serbe të armatosura” tha ai.
Por çfarë fshihet pas planit të Vuçiçit me trazirat që po shkakton në veri të Kosovës? “Plani serb është që të lidhen me bashkësinë e komunave, krijimin e Zajednicës dhe për më pas për autonomi.
Përveç kësaj ata e refuzuan projektin franko-gjerman. Ata kërkojnë të largohet policia e rendit dhe kufitare e Kosovës nga veriu. Kjo është e papranueshme. Situata do të jetë e ngrirë” thotë Nuredin Ibishi.
Për qeverinë e Albin Kurtit thotë se po nxitohet duke i vendosur çështjet me Serbinë në plan të parë. “Mendoj se po vepron pak ngutshëm në një fazë shumë të ndjeshme për Kosovën, kur ka të bëjë me çështjet integruese.
Për ne shumë më e rëndësishme është njohja në aspektin ndërkombëtar më pas t’u kthehemi problemeve me Serbinë” tha ai për “5pyetjet.al” për gazetarin Dylber Balla.
Rezoluta 1244
Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.
Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.
Neni 6 i aneksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:
Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare.









