Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i ka dërguar një mesazh të qartë Serbisë që të përmbahet nga retorika dhe veprimet e dhunshme në të kundërt misioni i KFOR-it është gati të vepruar nëse kalohet vija e kuqe.
Gjatë një interviste për “France24”, i pyetur se sa i shqetësuar është për ngjarjet e fundit në Kosovë, shefi i NATO-s është përgjigjur se mesazhi i tij ishte që palët të përmbahen nga deklaratat që kontribuojnë në përshkallëzimin e konfliktit dhe lëvizjet, dhe ndihmojnë në uljen e tensioneve.
“NATO është shumë e fokusuar në çështjen e Kosovës, si dhe në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë, kemi ndihmuar për t’i dhënë fund dy luftërave etnike, fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe më vonë në Kosovë.
Forcat tona janë ende të pranishme atje përmes Forcat e NATO-s, gjegjësisht KFOR-i i cili ka gati 4.000 anëtarë dhe është faktor kyç për stabilizimin e rajonit dhe situatës”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.
Më pas ai dërgoi një mesazh edhe më të qartë: “Mesazhi im për të gjitha palët e interesuara është: përmbahuni nga retorika dhe veprimet përshkallëzuese dhe ndihmoni në uljen e tensioneve. Forcat tona atje janë gati, vigjilente. NATO dhe BE po punojnë ngushtë së bashku” tha ai.