Në të gjithë Amerikën, vrasjet nga armët e zjarrit shënuan në vitin 2022 një numër gati rekord, me raste të shumta të shtënash masive, siç ishte sulmi në një shkollë fillore me motive urrejtjeje. Në përgjithësi, shkalla e vdekjeve nga armët e zjarrit u rrit në nivelin më të lartë në gati tre dekada. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Chris Simkins sjell hollësi.
Dhuna me armë u rrit në shumë komunitete amerikane në vitin 2022, duke përfshirë një numër gati rekord të incidenteve të të shtënave masive. Në maj, një person i armatosur 18-vjeçar, me një armë gjysmë automatike vrau 19 fëmijë dhe dy të rritur në shkollën fillore Robb në Uvalde të shtetit të Teksasit. Ishte sulmi më vdekjeprurës në një shkollë amerikane në gati një dekadë. Një javë më vonë, presidenti Joe Biden iu drejtua vendit.
“Për atë Zot, sa masakra të tjera do të pranojmë? Sa jetë të tjera të pafajshme duhet të merren, para se të themi mjaft më?”
Ditë më parë, një 19-vjeçar tjetër kishte hapur zjarr po me një armë gjysmë automatike në një supermarket në Bufalo të Nju Jorkut, duke vrarë 10 persona. I dyshuari tha se kishte në shënjestër njerëzit me ngjyrë./VOA