Nga Dylber Balla
Shqipëria brenda pak ditëve do të njohë kreun e ri të SPAK-ut. Por sa më shumë afrohemi drejt datës 19 Dhjetor, situata nxehet akoma më shumë.
Ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe kryeministri Edi Rama janë “përplasur” me replika në distancë lidhur me procesin dhe KLP-në që ka në dorë pasuesin e Arben Krajës.
Por kush do të fitojë në fund? Eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço u shpreh për “5pyetjet.al” se “lufta” që duket në publik nuk tregon arsyen e vërtetë.
Sipas tij, debati nuk lidhet thjeshtë me emrat se kush do të drejtojë SPAK-un, por përtej kësaj duke krijuar më shumë mister.
“Drejtuesi i prokurorisë së posaçme është drejtim administrativ, shikon mbarëvajtjen e institucionit, koordinon dhe çdo prokuror është i pavarur për të ndjekur hetimet për çdo çështje.
I vetmi funksion që ka drejtuesi është që ka dosjet. I vijnë kallëzimet dhe i ndanë te kolegët. Kjo luftë mund të jetë për tjera gjëra, jo për drejtuesin.
SHBA është investuesi dhe garantuesi për reformën në drejtësi. Situata është nxehur shumë Ka diçka tjetër që i shqetëson” tha ai te “5pyetjet.al”.
Në datë 16 Dhjetor tre kandidatët Adnan Xholi, Altin Dumani dhe Edvin Kondili do të prezantojnë platformat përpara KLP-së që do të zgjedhë pasuesin e Arben Krajës në krye të SPAK-ut.
I preferuari i SHBA-së duket se është Altin Dumani përballë Edvin Kondilit që sipas burimeve gazetareske preferohet nga pushteti.
Fakti që ambasadorja amerikane ka bërë disa reagime publike lë të kuptohet qartë se lobimi që po bëhet është shumë i fortë.
“Lufta” (aspak) diplomatike për shefin e SPAK-ut dhe vija e kuqe, kush do të fitojë?