Kosova sot zyrtarisht ka dorëzuar në Pragë, aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Dorëzimin e letrave e bëri kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Pas kësaj Kurti dhe ministri i Çekisë për Çështje Evropiane, Mateus Bek, mbajtën një konferencë për media.
Ministri çek ka thënë se është nder për të që të pranojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Ai ka theksuar se Presidenca çeke në 6 muajt e fundit i ka vënë vëmendje të jashtëzakonshme Ballkanit Perëndimor.
“Është nder për mua si kryetar i Këshillit të BE-së të pranojë aplikacionin e Kosovës. Na vjen mirë që kemi arritur të avancojmë tutje çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Na vjen mirë që është arritur konsensus Këshilli me Parlamentin Evropian për këtë çështje. Është satisfaksion i jashtëzakonshëm”, ka thënë Bek, duke shtuar se kështu po e plotësojnë njërin nga prioritetet e presidencës së tyre.