-sidi education-spot_img
18.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Të ardhurat nga puna jashtë vendit shënojnë rekord historik

Kryesoret

Këtë vit, të ardhurat e shqiptarëve nga puna jashtë vendit po shënojnë nivelet më të larta historike. Të ardhurat neto nga ky zë në Bilancin e Pagesave për 9-mujorin 2022 kishin vlerën e 311 milionë eurove, në rritje me 93% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Vetëm për tremujorin e tretë të vitit, të ardhurat neto nga puna arritën në 108 milionë euro, 30% më shumë krahasuar me tremujorin III 2021.

Sipas metodikës së Bilancit të Pagesave, të ardhura nga puna jashtë vendit klasifikohen kompensimi i punonjësve, që përfshin pagën, shpërblimet dhe përfitime të tjera, të fituara nga individët jorezidentë në një ekonomi, për punën e kryer për rezidentët e kësaj ekonomie.

Në këtë kategori punonjësish, përfshihen punonjësit sezonalë apo ata që punësohen për një periudhë afatshkurtër, më pak se një vit, si dhe punëtorët kufitarë të cilët e kanë qendrën e interesit të tyre ekonomik në vendin e tyre të origjinës.

Në analizat e flukseve hyrëse nga jashtë, shpesh të ardhurat nga puna jashtë vendit i bashkëngjiten dërgesave të emigrantëve dhe klasifikohen si pjesë e të ardhurave totale nga remitancat në ekonomi.

Për 9-mujorin 2022, dërgesat e emigrantëve kishin vlerën e 592 milionë eurove, në rritje me 9.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Po të mbledhin remitancat dhe të ardhurat nga puna, kontributi i tyre total në ekonominë shqiptare arriti në 903 milionë euro për 9 muaj, shifër kjo 22% më e lartë krahasuar me 9-mujorin 2021.

Këto të ardhura përbëjnë një burim shumë të rëndësishëm për të ngushtuar deficitin e jashtëm të ekonomisë shqiptare. Të ardhurat nga puna dhe remitancat së bashku mbulonin rreth 74% të deficitit tregtar në mallra.

Në këto 30 vite, puna është faktori dominues ku po mbështeten aftësitë eksportuese të ekonomisë shqiptare. Përveç të ardhurave direkte nga puna jashtë, një kontribut shumë të madh jep edhe regjimi i përpunimit aktiv të mallrave (fasoneria). Të ardhurat nga fasoneria po vijojnë rritjen edhe për këtë këtë vit. Për 9-mujorin, ato arritën në 473 milionë euro, 24.5% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Një rol në rritje po fiton edhe eksporti i shërbimeve, që fillimisht ishte i përqendruar në bizneset e llojit call center, për shërbime të kujdesit të klientit dhe të marketingut e shitjeve.

Në vitet e fundit, ky sektor po shtrihet edhe në shërbime më të specializuara, kryesisht të lidhura me teknologjinë e informacionit dhe komunikimit.

Të ardhurat nga shërbimet e biznesit për 9-mujorin arritën në 385 milionë euro, në rritje me 60% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar./ Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit