Portieri argjentinas, Emiliano Martinez ka kritikuar sulmuesin francez Kylian Mbappe përpara finales së shumëpritur të Kupës së Botës Katar 2022.
Sot dy skuadrat do të përballen në Stadiumin “Lusail” në kërkim të fitores së Kupës së Botës.
Në fillim të këtij viti, superylli francez i Paris Saint Germain, Mbappe pohoi se futbolli i Amerikës së Jugut nuk është aq i avancuar sa loja në Evropë.
“Përparësia që kemi në Evropë është se luajmë mes vete me ndeshje të nivelit të lartë gjatë gjithë kohës, siç është Liga e Kombeve”.
“Kur të arrijmë në Botëror jemi gati, ndërsa Brazili dhe Argjentina nuk e kanë këtë nivel në Amerikën e Jugut. Futbolli nuk është aq i avancuar sa në Evropë. Kjo është arsyeja pse në Kupat e Botës së fundit, janë gjithmonë evropianët ata që fitojnë”, kishte deklaruar Mbappe.
Përpara ndeshjes të sotme Martinez ka kritikuar Mbappen për komentet e tij.
“Ai nuk di mjaftueshëm për futbollin. Ai kurrë nuk ka luajtur në Amerikën e Jugut. Kur nuk e keni këtë përvojë mund të jetë më mirë të mos flisni për të. Por nuk ka rëndësi. Ne jemi një ekip i madh, i njohur si i tillë”, ka thënë Martinez.
Shoku i skuadrës së Martinezit, Lionel Messi i cili gjithashtu luan me PSG ra dakord me portierin e tij.
“Shumë herë kemi folur për këtë në Spanjë. Kur u kthyem nga një ndeshje kualifikuese, u thamë atyre, ‘Ju nuk e dini se sa e vështirë do të ishte për ju të kualifikoheni në Kupën e Botës nëse do të duhej të shkoni atje, në lartësi, në vapë, në Venezuelë’”, kishte thënë Messi më parë.
Në të vërtetë, procesi kualifikues në Amerikën e Jugut është krejtësisht i ndryshëm nga Evropa.
10 kombe në CONMEBOL luftojnë për vetëm katër vende automatike dhe një vend me “play-off”.
Ndërsa 55 shtete evropiane janë ndarë në 10 grupe për të luftuar për 13 vende të Kupës së Botës.
Argjentina dhe Franca po kërkojnë të fitojnë titullin e tretë botëror sot.
Franca gjithashtu kërkon të mbrojë trofeun e saj nga viti 2018.