Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ka shpërndarë një video në Facebook duke thënë se Ushtria e Kosovës ka kapacitete moderne luftarake për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror të Kosovës.
“Ushtria e Republikës së Kosovës me kapacitete moderne luftarake për mbrojtjen e integritetit territorial dhe sovranitetit shtetëror të vendit tonë”, ka shkruar Mehaj.
Ai gjithashtu shtoi se janë duke vazhduar me zhvillimin dhe avancimin e forcave të Kosovës sipas standardeve më të larta të forcave të vendeve anëtare dhe partnere të NATO-së.
“Për pjesëmarrje efektive në operacione ndërkombëtare të paqes në ndërveprim dhe përkrah forcave aleate të prirë nga ShBA”, ka theksuar ai.
Disa protestues serbë janë mbledhur ditën e sotme afër pikë kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Jarinjë si shenjë mbështetjeje ndaj serbëve lokalë që kanë ngritur barrikada në veri të Kosovës.
Protestuesit janë dëgjuar duke bërtitur, “Kosova është zemra e Serbisë”.
Policia serbe e ka krijuar një kordon në afërsi të kufirit.
Thirrja për protestë është bërë nga grupet djathtiste, siç është “Patrulla Kombëtare”, si dhe është bërë thirrje që organizimit t’i bashkohen mbështetës tjerë nga Serbia, Mali i Zi dhe Republika Sërpska e Bosnje-Hercegovinës.