Opozita e udhëhequr nga PD, që është e copëtuar foli dhe akuzoi sot në Kuvend se po bëhet një “lojë e pistë” me qëllim që në Gjykatën Kushtetuese të zgjidhet Ardian Dvorani.
Gazment Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj u shprehën se në këtë proces po tentohet të përfshihet zgjedhja e Avokatit të Popullit me qëllim që përmes votimit të fshehtë të “peshkohet” nga opozita.
Por Edi Rama mori fjalën dhe tha se PS nuk ka vendim se cilin do të votojë për anëtarë të Kushtetueses, ndërsa i vendosi kryqin kandidatit të PD-së për Avokat Populli, Ledio Braho.
“Grupi i PS-së nuk funksionon në mënyrë klandestine. Keni dëgjuar të marrim ndonjë vendim për të mbështetur politikisht ndonjëherë ndonjë figurë të vlerësuar nga drejtësia. Nuk e kemi problem t’ua kthemi në sy atë që kemi vendosur. Nëse do të kishim pasur vendim për votim të unifikuar do ta kishim thënë.
Ne nuk e kemi një vendim të tillë. Kur të vijë momenti do ta shpjegojmë. Përsa i përket avokati i PD-së, mbajeni se nuk mund ta sillni këtu ta votojmë ne avokatin e PD-së. Ne kemi marrë përsipër në të shkuarën propozimin dhe nuk kemi sjellë ndonjë avokat të PS-së, që e kalon jetën duke bërë gjyqe kundër kundërshtarit.
Vini sillni një avokat të PD-së që nuk ka lënë gjyq me ne dhe doni ta votojmë ne për ta bërë avokat populli. Kaq keq jeni katandisur. Kjo nuk ka shans dhe nuk ka përpjekje për të ngatërruar ndonjë votim me ndonjë votim. As njërin që është avokat i partisë suaj, as tjetrin që është i vulëhumburve” tha ai.