Një metër katror tokë e punueshme në Farkë sot kushton të paktën 50 euro për metër katror, sipas të dhënave nga agjencitë e real estate. Blerja e një hektari tokë në këtë zonë kushton minimalisht 500 mijë euro.
Sipas tyre, çmimi është kaq i shtrenjtë, pasi toka mund të tjetërsohet dhe të jepet për ndërtim. Ndërsa çmimi minimal i tokës që nuk është e tjetërsueshme është 5 euro për metër katror, ose 50 mijë euro për hektar.
Nëse krahasojmë të dhënat me shtetet e tjera të Europës, toka në Shqipëri kushton shumë më shtrenjtë, teksa çmimi maksimal i një hektari toke të punueshme në vendet e Bashkimit Europian është 120 mijë euro, në Ishujt Kanarie të Spanjës.
Sipas Eurostat, çmimi i një hektari tokë të punueshme në vitin 2021 varionte nga niveli i ulët prej 3 661 € mesatarisht në Kroaci në 47 290 € mesatarisht në Luksemburg.
Çmimet më të larta për tokën e punueshme ishin në rajonin spanjoll të Ishujve Kanarie (mesatarisht 120 477 € për hektar).
Në Itali, çmimi mesatar i një hektari tokë të punueshme është 35 mijë euro.
Në Francë, në pjesën më të madhe të zonave, një hektar tokë kushton nga 3-7 mijë euro dhe vetëm në Provence-Alpes-Côte d’Azur arrin në 12 mijë euro. /monitor