18.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Bedri Islami: PD-ja e sotme dhe nata në të cilën shumëkush mendoi se ndryshoi historia

Kryesoret

Jam ndodhur gjysmë rastësisht atë natë dhjetori të vitit 1990 në “Qytetin Studenti”. Atë natë, pas së cilës shumëkush mendoi se ndryshoi historia. Shefi im i dikurshëm në gazetën ku punoja, “Zëri i Popullit”, kur më pa në shkallët e redaksisë, sapo kisha vajtur nga Shkodra, më tha se nëse kisha kohë, të shkoja në “Qytetin Studenti”, pasi shefi i qeverisë, Çarçani, me një grup ministrash kishte një takim. Ose ai nuk dinte më shumë se kaq, ose nuk donte të zgjaste më tej një bisedë që nuk kishte edhe aq interes. Spiro Dede dhe Namik Dokle do të jenë dy nga shefat e mi të gazetarisë dhe prej tyre njeriu ka gjithnjë se çfarë të mësojë. Ata, të dy, i takonin atij brezi intelektualësh, që përmes gjerësisë së mendjes, u bënë pararendësit e pavetëdijshëm të lirisë së ndërgjegjes.

Jam ndjerë disi i habitur nga ajo që ndodhi asaj dite në sallë. Studentët gjysmë të revoltuar, që ia prisnin fjalën shefit të qeverisë pa çarë kokën, ministrat Gjinushi dhe Ahmeti që më së shumti ishin jashtë sallës, njerëz që sorollateshin në kthinat e koridoreve të ngushta mes lulishteve dhe askush nuk gëzohej se po i fliste shefi i qeverisë. Komunizmi ishte në ikje, Europa dukej se po vinte. Që asaj dite, Partia Komuniste pushoi së qeni Shteti.

Disa ditë më pas, jo rastësisht, më tepër e përgatitur në kulisat e godinës së madhe të Komitetit Qendror nga një dorë mjeshtri, do të formohej partia e parë opozitare. Studentët që kishin nisur shumëçka, do të ishin të përkohshëm, por deviza e tyre do të ishte shumë joshëse, “të bëjmë Shqipërinë, si gjithë Europa”.

Do të bëhej vallë?

Ëndrra ishte e prekshme. Të zgjohesha prej saj, kjo ishte e frikshme!

Partia Demokratike ishte bartëse e këtij sllogani. Njeriu që ishte vënë, përsëri jo rastësisht në kreun e saj, ngjallte shpresë, sidomos tek ato që nuk e njihnin nga afër dhe ndillte mosbesimin e atyre që e njihnin. Sali Berisha, njeriu që në intervistat e para në “Zëri i Amerikës”, përbetohej se ai do të ishte kryetari i kësaj force politike vetëm një mandat, pasi vendi kishte vuajtur nga kulti i individit, vazhdon të jetë aty, si nuk ka ndodhur me asnjë forcë politike perëndimore. I joshur nga pushteti, më tepër i dehur prej tij, ai nuk kuptonte realitetin e ngjarjeve dhe nuk ishte aspak në gjendje të hynte në marrëveshje. Atë nuk e brente ndergjegjja dhe as që ishte i shqetësuar.

Gojëtar i furishëm, njeri që besonte lehtë dhe hakmarrës, ai vazhdon të mbetet nga ata burra që dinë të tërheqin një pjesë të popullit me fjalë, për ta çuar drejt greminës. I dashuruar pas abstraktes, ai, sa ishte President dhe më pas, për njerën nga alibitë e fatit, u bë kryeministër, nuk ndërtoi asnjëherë institucione konkrete. Europa ishte për të fjala e ndaluar në gjithë vitet e komunizmit, që e kishte përkëdhelur sipas besimit dhe shkallës së devotshmërisë dhe befas belbëzohej nëpër dhëmbë edhe në sheshet e mitingjeve. A do të mund të bënte ai një parti demokratike, të së djathtës apo të së majtës qoftë, që të ishte në të njëjtën kohë tradicionale dhe europiane, moderne dhe e mbështetur në ato pak vlera që kishin mbetur në shpirtin e kombit?

Tashmë janë bërë thuajse dy vite, që kur ai u shpall familjarisht ‘non grata’ nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe më pas, nga Britania e Madhe për korrupsion madhor, pengim të sistemit të drejtësisë dhe bashkëpunim me struktura të organizuara të krimit, që ka synim kryesor shpalljen e luftës ndaj strukturave euro-atlantike. Sado që deri më tash kishte fshehje të synimit të luftës së shpallur pas slloganit “anti Bashë”, pra të njeriut që e kishte zjedhur me dorën e tij dhe e kishte përkëdhelur, tani gjithçka është e qartë, synimi i gjithë asaj që po ndodh u shpreh në një çast “sinqeriteti”, nga njëri ndër aleaët e tij më të hapur, ish-ministër, i cili duke folur për SHBA e cilësoi si “aleat leshi”, apo një tufë analistësh pranë oborrit të tij dhe media të familjes, të cilët tani e bënë rrugë antieuropianizimin e tyre.

Ka qenë gjithnjë kështu apo kjo ndodhi vetëm tani, si rrjedhë e hakmarrjes vetjake të Berishës, duke mbrojtur veten dhe familjen e tij? A ka pasur çaste kur vërtetë opozita e tanishme kishte qasje perëndimore dhe mund të sillte pjesë të këtij mendimi politik në Shqipëri?

Ish-ministri e di fare mirë se çfarë fltet në oborrin e pasmë të politikës dhe përse aq furishëm, tamburet e luftës janë ndezur kundër ambasadores Kim, si dikur ndaj zotit Lu, për të shkuar më tej, ndaj gjithë përfaqësuesve të lartë politikë amerikanë në Shqipëri. Mllefi i tarafit Berisha, nuk është me zonjën Kim, opozita e di fare mirë se “zëri” i saj në fakt nuk është i saj, ajo përcjell mesazhet që vijnë nga Departamenti i Shtetit, nga kupola më e lartë e politikës amerikane. Ndryshimi i dëshiruar i trajektores nga opozita e foltores, nga DASH tek një njeri i vetëm, apo retushimi i shpalljes ‘non grata’ si vepër e një njeriu që nuk është pjesë e strukturave, është vazhdim i gjithçkaje që ka ndodhur në këto vite të qëndrimit ‘de fakto’ dhe ‘de juro’ të Berishës në drejtimin e forcës së tij politike, edhe kur ka qenë në zgripin e gjallimit të saj, edhe kur ka qenë në pushtet, edhe tani që njeh ndarjen e re të saj.

Për shumëkënd, “zemërimi” i ish-ministrit dhe i analistëve pranë depos së Berishës, ishte i papritur. Në fakt, habija ime ka zgjatur aq pak, saqë ndoshta nuk duhet llogaritur fare. Ishte i papritur për shumëkënd, pasi në mos tjetër, nga ata që i prijnë opozitës janë dëgjuar thirrjet e para për denigrimin e çdo politike europiane ndaj Shqipërisë, përçmimin e figurave përfaqësuese, por mbi të gjitha të konceptit të lirisë dhe të vetë politikës.

Është e pamundur që një force politike, e cila e mban veten si europiane, të ketë kaq shumë mllef ndaj pushtetit qeverisës, të skajohen gjërat dhe të ketë thirrje për linçimin, jo vetëm politik, të drejtuesve të forcave politike që janë në pushtet. Nuk mund të ketë mendësi politike europiane një lider, që pasi ka shkallmuar dyert e selisë së tij, duke e sulmuar me hunj dhe banditë, e shpall armik liderin e shumicës, e kërcënon ta tërheqë zvarrë në ujërat e Lanës, ashtu si e kishte kërcënuar kur ishte në pushtet, me vrasjen përmes snajperëve, ku njëri prej tyre do të ishte ai vetë, shefi i qeverisë, Berisha.

Koha kur Berisha, 30 vite më parë, premtonte se do të ishte shefi i demokratikasve vetëm një vit, është harruar, por e haruar është edhe ajo që premtoi para një viti: mendimin ndryshe në vetë partinë e tij. Ato që ndodhën pas foltoreve, ishte rreth-rrokullisja e gjërave për të shkuar edhe një herë në fillimin e tyre: kur ai vetë ishte Njëshi dhe partia, departament ushtarak. Shumëpak janë të pabindur dhe ata e kanë pabindjen si shenjë të emancipimit të tyre dhe vetë ndërgjegjes.

Dy drejtuesit aktualë të opozitës, të Foltores dhe të ish-lësëistëve, aktualisht nuk kanë lënë asgjë mbuluar. Krejt hapur ata kanë shpallur kredon e tyre anti-perëndimore dhe kamuflimi me emra të veçantë, veçse vërteton rregullin. Nëse dikush do të mendonte, qoftë edhe një çast , se në çastet e tyre delirante ka shenja jete të mendimit perëndimor, atëherë do të kishte pasoja serioze në përceptim. Shumica e atyre që i rrethojnë edhe sot e kësaj dite, qofshin pjesë e gardës së vjetër, qofshi të mobilizuar të rinj, përtej luftës janë të joshur nga pushteti i mundshëm.

Në fakt, duhet saktësuar, PD ka qenë gjithnjë një forcë politike antieuropiane. Slloganet kanë qenë të tilla, sjellja dhe praktika kanë qenë të kundërta.

Kështu që nuk është asnjë përjashtim nga rregulli, është gjithçka brenda llojit dhe natyrës së tyre politike.

Lidhjet e opozitës, e jo vetëm të saj, por sidomos të saj, me klane të veçanta të botës së shërbimit të fshehtë serb, ndikimi i këtij lobi në politikën përcaktuese si vijë dhe si qëndrim, afrimi i një grupi të madh nga ish-bashkëpunëtorët e këtij shërbimi në struktura drejtuese, që u shpallën armiq të komunizmit, megjithëse i kishin shërbyer një shteti që aq sa ishte komunist, aq ishte antishqiptar; financimi i akteve të para, mbështetja e regjimit serb në çastet e tij më të vështira, përcaktimi i opozitës kundër luftës çlirimtare në Kosovë, jo vetëm duke burgosur disa nga liderët e saj, por sidomos në konceptimn e saj, prishja e marrëdhënieve të saj me linjën paqësore të Rugovës, tërheqja në strukturat e KOP-it të figurave që vinin nga zyrat e UNMIK-ut, ku hetoheshin ish-luftëtarë, ngjarjet e shtatorit 1998 dhe krijimi i precedentit të konfrontimit të veriut të Shqipërisë me jugun e saj, ç’ka të sillte ndër mend dëshira të vjetra të programeve serbe, të gjitha e larguan PD-në nga Europa dhe e afruan me segmete obskurantiste. I bindur se vetëm kështu mbahet pushteti, Berisha e bëri këtë metodologji dhe koncept veprues në partinë e tij. Ishte mësuar me idenë e Njëshit dhe nuk mund të vepronte ndryshe.

Vetëm në ditët e para të saj, pëdëistët dolën si një afrim i vendit tonë me Perëndimin e largët. Përmes tyre dukej sikur, ja, zgjate dorën dhe merre të mirën. Mes të tjerave kishin edhe slloganin fatkob, “ne qeverisim, bota na ndihmon”, sikur e gjithë bota nuk kishte asnjë hall tjetër, veçse qeverisjen e një grupi që krejt i pari, në mënyrë të përbindshme, solli vjedhjen, korrupsionin, grabitjen, shkatërrimin.

Sillni ndër mend qeveritarët e saj ndër vite, sidomos të viteve të para: pak prej tyre kanë mbetur jashtë botës së biznesit. Shumë prej tyre i gjen me pasuri të begata, firma ndërtimi, pasuri imobiliare, vila, dërgime jashtë shtetit të bijve dhe bijave; pas tyre qëndrojnë aq shumë enigma misterioze, krejtësisht anadollake, saqë do të ishte dashur një katarsis më i fuqishëm se asnjëherë tjetër, për të shkundur të pashkundurit.

Ende pa bërë asgjë për vendin e tyre, PD në pushtetin e vitit 1992 ngriti falangën e saj të shërbimit të fshehtë partiak. Shteti u vendos nën gjunjëzimin e dy forcave sigurimse; të asaj që drejtohej nga Bashkim Gazidede dhe të asaj që kishte në qendrën e saj njerëzit e besuar të Berishës. Nën shenjestrën e këtyre falangave u vendos, si nuk ndodh askund në Europë, i gjithë shteti, shtetarët, sidomos opozita dhe media e saj. Shteti u vendos nën një terror të ri politik dhe financiar. Për të parën herë në një vend plural, shteti do të bëhej padroni politik i jetesës, sipas motos musoliniane, “ose me mua, ose kundër meje”. Mijëra, dhjetëra mijëra njerëz të ndershëm, që kishin guximin të mos besonin në pallavrat e një klase politike, misioni i të cilës ishte shkatërrimi i shtetit për të ngritur antishtetin, u gjendën nëpër rrugicat e lagjeve, më të shumtët, për të mbijetuar, duke shitur kikirikë. Truri i një vendi të raskapitur u gjend jashtë lojës. Vetëm ai që ngriti dy gishta, edhe kur ishte fare kaqol, u bë edhe ministër.

Kjo është tashmë një histori që synohet përsëritet.

Të hapësh portat e vendit tënd për ata që e duan, që janë kuriozë apo mund të bëjnë diçka, është diçka krejt e natyrshme, jo vetëm për shtetarët, por edhe për qytetarët. Shqipëria e pas vitit 1992 nuk kishte porta fare. Nga hermetizmi, marramendshëm shpejt, u kalua tek frenetizmi i dyerve të shkallmuara.

Të parët që gjetën strehë në këtë vend, ama krejt të parët, ishin radikalët islamikë. Ishim vendi i parë në këtë kontinent të vjetër, ku duam të futemi dhe ku i yti të përplas derën, që u bëmë strehë e radikalëve islamikë; i bëmë biznesmenë, u dhamë prona, u dhamë nënshtetësi, i lamë të livadhisin, i krijuam kushtet në lindjen e një radikalizmi që nuk ishte njohur asnjëherë, i qetësuam, në fund, përmes kësaj mjegulle politike, krejtësisht qëllimkeqëse, ata na u bënë edhe baballarë.

Gazidede, që ishte po ashtu njëri ndër krerët e lëvizjes radikale islamike, i hapi edhe më shumë dyert. Të gjitha sinjalet që i erdhën nga institucionet më të rëndësishme europiane, pikërisht për rrezikun e këtij vërshimi në shtetin shqiptar, pasi i konsultoi me shefin e tij, ish-president, i hodhi në kosh. Nuk i bënë asnjë përshtypje as sinjalet e CIA-s, të Europolit, të Brukselit, të shërbimeve të specializuara, po ashtu të shqetësuara. Nëse dëshira e njerëzve shkonte drejt Europës, mendja dhe synimi i tyre ishte drejt radikalizmit.

Më ka rastisur të kem në duar një dokument, që një institucion i rëndësishëm europian, pjesë e Brukselit, i kishte dërguar Gazidedes në majin e vitit 1994. Një informacion i detajuar për njerëzit që kishin hyrë në Shqipëri, vendet nga kishin ardhur, përse ishin të dyshuar disa dhe përse disa të tjerë ishin jashtë dyshimit si pjesë të lëvizjeve radikale; cilat ishin organizatat bamirëse që kishin ardhur në Shqipëri, bankat nga rrjedhnin paratë…dhe, megjithëse i ishte kërkuar një mundësi bashkëpunimi, gjithçka kishte mbetur e heshtur.

Radikalizmi islam , ndryshe nga sa ndodhi në Bosnje, ku muxhahidinët u lejuan të jenë pas luftës shtetas boshnjakë, në Shqipëri ai u importua përmes politikës. Kjo i hapi dyert dhe nuk i ndoqi, sepse në shumë raste vetë i kishte ftuar.

Të habitesh pse një forcë politike nuk do vendin e saj në Europë, është e natyrshme, por të habitesh kur kjo forcë është shqupase politike, kjo nuk është normale.

Ka qenë gjithnjë kështu.

Kur e gjithë bota e civilizuar i shpallte luftën e parë Serbisë, bllokimin e gjithanshëm, klasa e re e politikës i thyente të gjitha embargot. Të gjitha. Të naftës për kamionë, të karburanteve për avionë, të armëve për luftë, të bllokimit politik, përderisa fshehtësisht pritej me pompa të mëdha dhe bëheshin marrëveshje antikombëtare me kryeministrin e asaj kohe të mbetjes jugosllave, dorën e djathtë të Millosheviçit, njëkohësisht njëri nga pjesët e trungut familjar nga vinte edhe “nusja” e familjes presidenciale.

Askurrë nuk do të mund të ishte një forcë e tillë politike pjesë e një mendimi modern europian, edhe kur është ftuar në strukturat politike, kjo nuk ka të bëjë me vitalitetin e saj, por me dobësinë e saj. Rishfaqja e këtij sindromi, përmes një figure fatkeqe, është vazhdë e asaj që ka ndodhur dhe përderisa të jetë ky koncept nihilist, asgjë nuk do të ndryshojë.

Ish-ministri që shpalli Amerikën si aleat leshi – nuk bëri asgjë tjetër, veçse atë që vërtet mendohet në shumë struktura të opozitës. Ai ishte lajmësi dhe lajmësi, kur është i tillë, nuk përbën faj.

Mos e gjykoni atë.

Ata që janë mbi të kanë qenë përherë fatkobi i këtij vendi, në një moment kur pritej ardhja e shpresës.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit