Ish-presidenti i FIFA -s, Sepp Blatter në një intervistë të dhënë për të përjavshmen gjermane “Die Zeit” ka thënë se nuk ka mundur ta mbrojë futbollin nga ndërhyrjet politike dhe bizneset.
Blatter, i cili drejtoi FIFA-n për 17 vjet tha se ishte “përpjekur t’i kontrollonte këto ndërhyrje” por kishte dështuar vazhdimisht për shkak të vlerës ekonomike të futbollit dhe për shkak të politikës.
Blatter u hoq nga posti i presidentit të FIFA-s dhe u ndalua nga futbolli në vitin 2015 pasi Prokuroria e Përgjithshme zvicerane kishte nisur një procedim penal kundër tij.
Në qershor ai u lirua nga një gjykatë zvicerane nga akuzat për mashtrim, por prokurorët e apeluan vendimin.
Duke kujtuar se paraardhësi i tij, Joao Havelange i kishte thënë se kishte “krijuar një përbindësh”, Blatter i tha Die Zeit se ai ndoshta kishte të drejtë.
Blatter tha se Kupa e Botës së fundit në Katar ishte emblematike e çështjes më të madhe që prek futbollin, hiper-komercializimit.
“Ka përpjekje për të shtrydhur gjithnjë e më shumë limon, për shembull, me një finale të Kupës së Botës me 48 skuadra ose tani me një Botëror (më të madh) për klube,” tha ai.
Ai gjithashtu shtoi se FIFA nuk ka punë me futbollin e klubeve.