Aktorja kosovare, Kaltrinë Zeneli e cila ka publikuar videon e rrahjes së të moshuarës nga infermieret, është nderuar me një certifikatë mirënjohje nga Prokuroria Themelore në Pejë.
Kjo mirënjohje Zenelit i është ndarë “për guximin dhe kontributin e dhënë në paraqitjen e rastit ‘Orenda’, si dhe inkurajimin e qytetarëve për raportimin e rasteve në Prokurori”.
Ajo ka thënë se gëzimin po ia zbeh fakti që një mirënjohje e tillë u nda për herë të parë nga Prokuroria e Pejës.
Në fund, ajo ka uruar që raste të tilla të mos mbeten më anonime dhe njerëzit të kenë guxim të dalin hapur dhe të raportojnë.
“Këtë mirënjohje ia dedikoj personit që më dërgoi videon. Unë nuk do hezitoj të jap zë edhe herë tjetër, por uroj që mos të kem nevojë ta bëj më”, ka përfunduar Zeneli.
Sulmi fizik ndaj të moshuarës në Pejë ka ndodhur më 2 nëntor dhe menjëherë pas publikimit të videos pati reagime të shumta.
Tri infermiereve të dyshuara për dhunimin fizik të të moshuarës në shtëpinë e pleqve në Pejë fillimisht u është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
Të pandehurat A.P, A.R dhe R.K, dyshohen se në bashkëpunim kanë kryer veprën penale “Sulm”.
Me vendim e Gjykatës Supreme, më 25 nëntor ato janë liruar nga paraburgimi.
Lidhur me këtë rast, ka pasur reagime të shumta, si dhe protesta.
Pas ngjarjes shtëpisë së të moshuarve “Orenda” i është hequr licenca.