Deputetë të partive opozitare në një seancë të Kuvendit të Kosovës kanë kritikuar qeverinë për menagjimin e situatës në veri të vendit.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Çuni, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për situatën e tensionuar në pjesën veriore të Kosovës, ku rrugët janë të barrikaduara tash e dy javë.
Çuni tha se situata në katër komunat e veriut, të banuara me shumicë serbe, është jashtë kontrollit “për shkak të veprimeve të papërgjegjshme të Qeverisë së Kosovës”.
“Sot veç një detyrë e ka kjo qeveri, të mos vazhdojë të bjerë më në kurthet e kundërshtarit [Serbisë]”, tha Çuni.
Ai tha se veprimet e qeverisë kanë rrezikuar edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës. Më 8 dhjetor, para vendosjes së barrikadave në veri ishte plagosur një zyrtar i Policisë së Kosovës.
Duke iu referuar situatës në veri, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, tha se veprimet e qytetareve serbë në veri, të sponsorizuara nga Serbia “nuk e trembin dhe nuk kanë kurrfarë efekti për Kosovën”. Ai i bëri thirrje kryeministrit të Kosovës Albin Kurti që të dalë nga “kurthi” që sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ia ka përgatitur.
Ndërkohë deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Luan Aliu, tha se përmes tensionimit të situatës në veri “Serbia po kërkon të vazhdojë luftën të cilën e humbi dekada më parë”. Aliu tha se situata e tanishme nuk do të tolerohet pafundësisht./REL