Gjykata e Lartë e Iranit ka pranuar ankesat e dy protestuesve të dënuar me vdekje për mangësitë në hetimin e rasteve të tyre.
“Gjykata e Lartë ka pranuar ankesat e Mohammad Qobadloo dhe Saman Saidi Yasin, të akuzuar në trazirat e fundit”, njoftoi agjencia Mizan.
“Për shkak të mangësive të hulumtimit, Gjykata e Lartë i referoi ato në të njëjtat gjykata për rishqyrtim”, raporton Reuters.
Protestat mbarëkombëtare u shkaktuan nga vdekja e një gruaje kurde iraniane, Mahsa Amini, më 16 shtator. Ajo vdiq sa ishte në mbajtje policore pasi u arrestua për dyshime se kishte shkelur kodet islame të veshjes.
Qobadloo akuzohet për vrasjen e një agjenti policie dhe plagosjen e pesë të tjerëve gjatë protestës. Ndërsa Yasin akuzohet se ka tentuar të vrasë anëtarët e forcave të sigurisë dhe ka kënduar këngë revolucionare.
Më 8 dhjetor, Irani kreu ekzekutimin e parë, duke varur protestuesin Moshen Shekari, pasi Gjykata Supreme e Iranit hodhi poshtë apelin e tij. Ai ishte akuzuar për veprën “luftë”, përkatësisht dyshohej se kishte plagosur një zyrtar të sigurisë.
Katër ditë më vonë, më 12 dhjetor, Irani kreu ekzekutimin e dytë për protestat anti-qeveritare. I ekzekutuari, Majidreza Rahnavard, ishte dënuar për vrasjen e dy anëtarëve të forcave të sigurisë, gjatë protestave në nëntor.