Ukraina pritet ta kërkojë të hënën përjashtimin e Rusisë nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (OKB), dhjetë muaj që nga nisja e ofensivës ruse në Ukrainë, ndërkohë që lideri i Rusisë, Vladimir Putin, po e akuzon perëndimin se po tenton ta “shkatërrojë” vendin e tij.
Të dielën, ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, tha se Kievi zyrtar do të kërkojë që Rusisë t’i hiqet statusi si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së – ku e ka një ulëse bashkë me SHBA-në, Britaninë e Madhe, Francën dhe Kinën.
“Nesër ne do ta shprehim zyrtarisht qëndrimin tonë. Ne e kemi një pyetje shumë të thjeshtë: A ka Rusia të drejtë të mbetet anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe thjesht të jetë në Kombet e Bashkuara?”, tha Kuleba.
“Ne e kemi një përgjigje bindëse dhe të arsyeshme – jo, nuk ka [të drejtë]”.
Pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të fuqishëm të Sigurimit, me 15 ulëse, kanë të drejtën e vetos që mund ta përdorin për ta bllokuar çfarëdo rezolute./REL