Tajvani njoftoi se do të zgjasë shërbimin e detyrueshëm ushtarak nga katër muaj në një vit, duke u thirrur nga kërcënimi që po paraqet Kina, që sipas Tajvanit, është gjithnjë e më armiqësore.
Pekini e konsideron Tajvanin si pjesë të tij që ka thënë se do ta marrë një ditë, edhe me forcë nëse është e nevojshme. Ky ishull vetëqeverisës përballet me frikë të vazhdueshme nga një pushtim kinez.
Viteve të fundit, Kina, nën udhëheqjen e presidentit Xi Jinping ka intensifikuar kërcënimin ndaj Tajvanit. Po ashtu, pushtimi rus i Ukrainës ka thelluar më shumë shqetësimet në Tajvan se Kina mund të ndërmarrë lëvizje të ngjashme dhe të aneksojë ishullin.
“Kërcënimet e Kinës kundër Tajvanit tani janë bërë më të qarta”, tha presidentja e Tajvanit, Tsai Ing-wen, gjatë një konference për media pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.
“Askush nuk do luftë…. por, bashkëkombës të mi, paqja nuk do të bie nga qielli”, tha ajo.
“Shërbimi aktual ushtarak prej katër muajsh nuk është i mjaftueshëm, pasi ne po përballemi me një situatë që po ndryshon shpejt. Ne kemi vendosur që ta rikthejmë shërbimin ushtarak prej një viti duke filluar nga viti 2024”.
Tsai tha se ky vendim do të aplikohet ndaj personave që kanë lindur pas 1 janarit të vitit 2005./REL