Prokuroria e Vlorës ka çuar në gjyq dosjen me të të pandehurin Igli Madani 23 vjeç nga Tirana, i cili akuzohet për aksidentin me pasojë vdekjen e katër anëtarëve të një familje duke e shuar.
Aksidenti tragjik ndodhi në 25 qershor 2021, në zonën e kripores në Vlorë, duke sjellë vdekjen e menjëhershme të Eduard Gushit, Silvana Gushit dhe dy fëmijëve të mitur, Eva Gushi dhe Anastasia Gushit.
Makina e familjes shqiptare që po kthehej nga Greqia për pushime në atdhe u përplas dhe u mor përpara nga “Audi A8” me 160 km në orë që drejtonte Madani. I riu akuzohet për akuzën e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” me pasoja të rënda.
Ekspertët kanë dalë në përfundimin se është krijuar një goditje e fortë në mjetin tip “Toyota”, me të cilin lëviznin 4 anëtarët e familjes Gushi duke përfunduar jashtë rrugës me pasoja fatale.
23 vjeçari, i cili është djali i biznesmenit Bashkim Madani ka bërë disa tentativa për të përfituar lirinë, por gjykata i ka rrëzuar kërkesat për gjykim në gjendje të lirë.
Fjalën tani me provat në dorë e ka gjyqtari paraprak dhe në 17 janar 2023 do të vendoset nëse dosja do kalojë në gjykim themeli apo do të rikthehet sërish për plotësim.