Ligji i ri për nënshtetësinë në Kosovë ka hyrë zyrtarisht në fuqi këtë të premte, duke shkaktuar reagime të forta nga opozita dhe disa figura publike. Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka kritikuar ashpër këtë ligj, duke e cilësuar si një vendim që favorizon pasardhësit e kolonizatorëve serb dhe mund të ketë pasoja të rënda për të ardhmen e Kosovës.
Sipas Mustafës, ky ligj, i miratuar nga Vetëvendosje bashkë me Listën Serbe, ndryshon mënyrën se si përcaktohet nënshtetësia, duke përfshirë edhe individë që nuk kanë qenë pjesë e komunitetit shqiptar, por kanë lidhje të drejtpërdrejta me kolonizatorët e dikurshëm.
“Për një grusht votash, popullzimi e shkatërron të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen dhe vetë nënshtetësinë e Kosovës,” tha Mustafa në një video të publikuar në Facebook. Ai shtoi se ligji i ri u mundëson pasardhësve të kolonizatorëve serb, si dhe personave që kanë qenë refugjatë nga Kroacia apo Bosnja dhe u vendosën në Kosovë nga regjimi i kaluar, të marrin nënshtetësinë dhe pasaportën e Republikës së Kosovës, pavarësisht se ku kanë lindur.









