Disa dhjetëra qytetarë të Maqedonisë së Veriut protestuan të enjten para ambasadës së Serbisë në Shkup, kundër barrikadave të vendosura në veri të Kosovës.
Protesta në Shkup u mbajt, teksa për të 20-tën ditë me radhë, disa nga rrugët e veriut të Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë bllokuar nga barrikadat e vendosura nga disa serbë lokalë.
Protesta u organizua nga Shoqata e të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë Shqiptarë (SHBPPSH), por u mbështet edhe nga partitë opozitare, Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa.
Protestuesit mbanin në duar flamuj të Kosovës, Shqipërisë, Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe pankarta me mbishkrimet “Jemi një“, “Larg duart nga Kosova”, “Pa Kosovë nuk ka shqiptar”, “Stop Barrikadave”, “Trepça e Ujmani janë pasuri të Kosovës”, e të tjera.
Kryetari i SHBPPSH-së, Shpëtim Pollozhani në deklaratën që lexoi para protestuesve bëri thirrje për respektimin e sovranitetit dhe integritetit të Kosovës, si dhe sundimin e ligjit në gjithë territorin e saj.
“Kërkojmë nga përfaqësuesit ndërkombëtar rol më aktiv në ruajtjen e sovranitetit, të qetësisë dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve në veri të Kosovës. Kërkojmë nga KFOR-i dhe EULEX-si që të mos barazojë kontrabandistët dhe kriminelët në veri të Kosovës me veprimet legale dhe legjitime të Qeverisë së Kosovës për vendosjen e rendit dhe zbatimin e ligjit në territorin e saj”, tha ai./REL