Nga Dylber Balla
Dy ditë më parë, kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj zhvilloi një takim në Kamzë duke prezantuar kandidatin Bilbil Bajraktari. I pranishëm ishte edhe kandidati i “Primareve” që u zhvilluan pak javë më parë, të grupit të Sali Berishës, Shemsi Prençi.
Në media u aludua për një kalim të tij nga grupi i Berishës te i Alibeajt. Por si është e vërtetë? “5pyetjet.al” kontaktoi zotin Prençi, i cili tha se vijon që të jetë akoma me krahun e Sali Berishës. Më tej, ai sqaroi se përse ishte në takim dhe çfarë i kërkoi kryetarit të grupit të PD-së.
“Pse nuk lejohet të shkosh ta dëgjosh një politikan? Jo, në mënyrë kategorie nuk kam kaluar me grupin e zotit Alibeaj. Unë kam shkuar e kam dëgjuar Alibeajn, i kam thënë se nuk keni përse nxirrni dy kandidatura, sepse i shërbeni PS-së.
Dalja me dy kandidatura është dhuratë e pushtetit për PS-në. Këtë i kam kërkuar që të mos bëhet. Dhe mbrëmë isha në darkën e Vitit të Ri përkrah Arjan Hoxhës. Unë jam me pjesën e Berishës.
Dje ishte Gazment Bardhi në drekë me Berishën, tani i bie që ka kaluar me Berishën? Qytetari ka të drejtë të shkojë t’i dëgjojë të gjithë, por pozicionimin e tij e di vetë.
Unë vazhdoj të jem kandidat i primareve, kam bërë ankim në komisionin e ankimimeve në PD-së, më pas do i drejtohem Gjykatës Administrative për të parë nëse ka drejtësi. Ama unë nuk largohem nga PD.
Unë nuk i kam humbur primaret, jam tërhequr sepse ka qenë proces skandaloz me lista të manipuluara me simpatizantë. Arjan Hoxha u shpall me një proces të manipuluar, që e kam ankimuar” tha ai.