Zëvendës kryetari i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi ka treguar këtë të premte se 202 ishte një vit i suksesshëm për gjyqësorin dhe se Gjykata e Lartë që ka zgjidhur ngërçin e plotësimit të vakancave.
Ai është shprehur se nga 36.000 çështje që prisnin për tu gjykuar në mars të vitit 2020, sot numri i çështjeve të prapambetura (backlog) është ulur në 29,010, ndërkohë që numri i vendimeve të marra për këtë periudhë është 11.764.
“Përherë e kemi evidentuar si një problematikë shqetësuese numrin e lartë të rekurseve, të cilat nuk arrijnë të kalojnë testin e pranueshmërisë. Rreth 80% e rekurseve të paraqitura rezultojnë të pasuksesshme. E ndarë sipas fushave, nuk kalojnë testin e pranueshmërisë 75% e rekurseve në Kolegjin Civil, 83% në Kolegjin Administrativ dhe 80% në Kolegjin Penal.
Në raportin ndërmjet individëve e personave juridik privatë, nga njëra anë dhe organeve publike nga ana tjetër, kalimi me sukses i testit të pranueshmërisë së rekursit është në favor të të parëve. Për vitin 2022, organet publike rezultojnë gjyqhumbëse në 2,355 çështje administrative e civile (76%), ndërsa individët/personat juridik privatë rezultojnë gjyqhumbës në 728 çështje (24%).
Moskalimi i testit të pranueshmërisë në afro 80% të rekurseve të paraqitura adreson shqetësimin tek aktorët e sistemit të drejtësisë, përfshirë avokatët privatë, Avokaturën e Shtetit, si dhe prokurorinë, të cilët kanë detyrimin të vlerësojnë ekzistencën e shkaqeve të mjaftueshme ligjore, përpara se të vendosin t’i drejtohen me rekurs Gjykatës së Lartë,” është shprehur ai.