Një makinë me targa shqiptare dhe me pesë persona brenda është ndjekur nga policia italiane. Ngjarja ka ndodhur në Terni, një qytet në Itali, ku policia pikasi një “Passat” të zi, të dyshimtë duke urdhëruar atë që të ndalonte.
Sipas mediave italiane, shoferi fillimisht bëri sikur iu bind urdhrit të policisë për të ndaluar, por më pas ai ka shtuar shpejtësinë e makinës dhe është larguar. Menjëherë ka nisur ndjekje nga ana e policisë. I ndodhur nën presion, shoferi ka ndaluar mjetin, e ka braktisur atë dhe se bashku me personat e tjerë janë larguar në këmbë me shpejtësi në një pyll.
Në makinë policia gjeti mjete të shumta qe përdoren për vjedhje, dy transmetues dhe dy targa italiane të vjedhura. Makina dhe sendet e gjetura u sekuestruan, ndërsa vijojnë hetimet për identifikimin e të arratisurve. Nuk përjashtohet që personat të jenë autorët e vjedhjeve të shumta në vila që kanë ndodhur së fundmi në zonë dhe në qytetet fqinje, shkruajnë mediat italiane.