Policia e Vlorës ka arrestuar një 24-vjeçar i identifikuar si Vero Alushi pasi ju gjet një armë zjarri të tipit “kallashnikov” pa leje në ambientet e punës.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e siguruara nëpërmjet inteligjencës informative se një shtetas mbante armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën dhe si rezultat kanë lokalizuar dhe vënë në pranga shtetasin:
V. A., 24 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.
Gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient, në lagjen “24 Maji”, ku ky shtetas punonte, u gjet një armë zjarri kallashnikov, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.