-sidi education-spot_img
19.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

2023-shi, viti i konsolidimit dhe rimëkëmbjes për BE-në, Ballkanin dhe Kosovën

Kryesoret

Përderisa liberalizimi i vizave tashmë duket vetëm çështje formale, fati i temës tjetër të lidhur me raportet mes Kosovës dhe BE-së, ai i aplikimit për anëtarësim në BE, është më pak i parashikueshëm. Kosova e ka dorëzuar këtë aplikimin te Qeveria çeke, siç është edhe zakon në BE. Për këtë janë njoftuar të gjitha vendet anëtare, ndërsa tash i takon Presidencës suedeze që të nisë procedurën e shqyrtimit në Këshill

Viti 2022 ishte një vit tjetër i vështirë për Bashkimin Evropian e për tërë Evropën, dhe sfidat e njëjta do të barten edhe në vitin 2023. Sapo kishte nisur t’i ndiente efektet e para të daljes nga kriza që kishte shkaktuar pandemia e koronavirusit, me një rritje të madhe ekonomike, ulje të papunësisë dhe kthim të stabilitetit fiskal, vendosjen e epidemisë nën kontroll pas vaksinimit masiv, agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës ndryshoi gjithçka.

Evropa, e me këtë edhe Bashkimi Evropian u përballën me pasoja të menjëhershme dhe me presionin që të përgjigjen me urgjencë ndaj situatës së re të krijuar. Mbi 6 milionë ukrainas gjetën strehim në vendet e Bashkimit Evropian. BE-ja dhe vendet anëtare të NATO-s u desh t’i jepnin Ukrainës edhe ndihmë ushtarake, financiare dhe humanitare. Në anën tjetër, u miratuan disa sanksione ndaj Rusisë. Të gjitha këto kishin ndikim në sigurinë e furnizimit me naftë dhe gaz nga Rusia, nga e cila BE-ja ishte shumë e varur. Për pasojë, pati rritje dramatike të çmimeve të energjisë, e cila shkaktoi inflacion enorm në shumë vende të BE-së.

në fund të vitit 2022, BE-ja zvogëloi dukshëm varësinë nga Rusia, rriti bashkëpunimin me vendet evropiane që nuk janë në BE, përfshirë edhe ato nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, gjeti alternativa të furnizimit me gaz. Por e gjithë kjo mbeti si një punë e papërfunduar që duhet vazhduar edhe në vitin e ri.

Në vitin 2022, së pari Franca e pastaj Republika Çeke patën kryesimin e radhës të Bashkimit Evropian. Të dyja këto vende me sukses koordinuan veprimet e BE-së edhe në përgjigjen ndaj agresionit rus në Ukrainë, ndonëse nuk ishte e lehtë, sepse jo të gjitha vendet anëtare kanë ndjenjën e njëjtë për nivelin e solidaritetit dhe ndihmës ndaj Ukrainës. Nuk ishte e lehtë të miratoheshin paketat e ndryshme të sanksioneve, sepse për to duhej gjithmonë pajtim i të gjitha vendeve anëtare. Tash në fillim të vitit 2023, për gjysmë viti BE-në do ta udhëheqë Suedia e pastaj në pjesën e dytë të vitit Spanja. Dhe do të kenë në duar disa dosje, dy prej të cilave janë në mënyrë direkte të lidhura edhe me Kosovën.

Viti 2022 shënoi kthesa të mëdha në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ndodhi i ashtuquajturi “zgjerimi i zgjerimit“. Tri vende të “fqinjësisë lindore“, për të cilat deri në atë moment nuk përmendej perspektiva evropiane, dorëzuan kërkesat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Dhe me shpejtësi të paparë deri atëherë, vetëm për pak muaj, Ukraina dhe Moldavia morën statusin e vendit kandidat, ndërsa Gjeorgjisë iu premtua dhënia e të njëjtit status sapo t’i përmbushë disa kushte. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nisën negociatat e anëtarësimit. Në fund të vitit edhe Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE, ndërsa të njëjtën ditë, më 15 dhjetor të vitit 2022, Bosnjë-Hercegovina mori statusin e kandidatit. Me aplikimin e Kosovës u përmbyll i tërë rrethi i vendeve të Kontinentit të Evropës që duan anëtarësim në BE dhe që kanë dorëzuar aplikacionet për t’u bërë anëtare.

Nuk ka dyshim se, sa i përket procesin të zgjerimit të BE-së, një proces që nuk ka shumë miq në Evropën Perëndimore, Presidenca çeke e Bashkimit Evropian pati një sukses të jashtëzakonshëm. Sa i përket Kosovës kjo u kurorëzua edhe me pajtimin e vendeve anëtare të BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën. Së pari për këtë u morën vesh vendet anëtare e pastaj u arrit edhe pajtimi mes Këshillit të BE-së dhe Parlamentit Evropian. Çekia me vullnet të jashtëzakonshëm e çoi përpara këtë proces, shpesh me frikën se, nëse nuk do të merrej vendimi deri në fund të vitit 2022, atëherë në vitin 2023 mund të vijë deri te ngecjet e reja, pasi që dy shtetet që do ta kenë kryesimin e radhës, Suedia dhe Spanja, mund të mos e kenë të njëjtin vullnet.

Por dy çështje të lidhura me Kosovën do të duhej të jenë përsëri në rend dite që në fillim të vitit 2023. Akoma kanë mbetur edhe disa hapa formalë për të përmbyllur procesin e liberalizimit të vizave. Parlamenti Evropian në mesin e muajit janar do të duhet ta ketë në rend dite miratimin e vendimit në Komisionin përkatës, e pastaj edhe në seancë plenare. Pas kësaj edhe Këshilli i BE-së do të merr vendimin përfundimtar. Kjo tashmë konsiderohet si punë e kryer. E vetmja gjë e cila nuk është e sigurt është a do të jetë viti 2023 vit kur kosovarët do të nisin ta shfrytëzojnë lirinë e lëvizjes pa viza në vendet e BE-së dhe në vendet e tjera evropiane që nuk janë në Schengen, apo kjo do të ndodhë ditën e parë të vitit 2024. Kjo do të varet nga fati i Sistemit Evropian të Autorizimit dhe Udhëtimit (ETIAS). Nëse ky sistem do të hyjë në fuqi sipas planit më 1 nëntor të vitit 2023, atëherë do të hyjë në fuqi edhe liberalizimi i vizave për Kosovën. Nëse ky sistem, që është vonuar disa herë deri më tash, nuk do të jetë gati më 1 nëntor, atëherë lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të nisë më 1 janar të vitit 2024. Dallimi është vetëm dy muaj, por formalisht kalon në një vit tjetër kalendarik.

Përderisa liberalizimi i vizave tashmë duket vetëm çështje formale, fati i temës tjetër të lidhur me raportet mes Kosovës dhe BE-së, ai i aplikimit për anëtarësim në BE, është më pak i parashikueshëm. Kosova ka dorëzuar këtë aplikim tek Qeveria çeke, siç është edhe zakon në BE. Për këtë janë njoftuar të gjitha vendet anëtare, ndërsa tash i takon Presidencës suedeze që të nisë procedurën e shqyrtimit në Këshill. Pasi Kosova nuk është njohur formalisht si shtet nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, (e kanë njohur 22, por nuk e kanë njohur 5 vende anëtare), e vendimet në procesin e zgjerimit miratohen me konsensus, nuk mund të parashikohet se a do të kalojë aplikacioni i Kosovës në hapin e parë. E hapi i parë duhet të jetë pajtimi i Këshillit për t’i dhënë Komisionit Evropian mandatin për të përgatitur mendimin nëse Kosova i përmbush apo jo kushtet për t’ia dhënë statusin e vendit kandidat.

Përderisa Suedia pritet të jetë e gatshme për të nisur konsultimet me vendet anëtare, sidomos me ato që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, në gjysmën e dytë të vitit, kur Spanja ta ketë kryesimin e radhës nuk mund të pritet asgjë. Spanja që tash ka dhënë shenja se do ta kundërshtojë dhënien e statusit të kandidatit Kosovës. Ndonëse diplomatët e Spanjës në takime të ndryshme kanë thënë se “nuk do të bëjnë pengesa për Kosovën“, në praktikë nuk ka rast që Spanja të mos ketë bërë pengesa. Për më tepër, Spanja është vendi i cili është më agresiv sesa të gjitha vendet e tjera në kundërshtimin e trajtimit të Kosovës si shtet. Spanja e kishte paditur në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë Komisionin Evropian për shkak të një marrëveshjeje mes Komisionit Evropian dhe Kosovës. Edhe pse Spanja e kishte humbur këtë rast në Gjykatë, ajo ka apeluar këtë vendim. Kur Spanja ta ketë kryesimin e radhës të BE-së, ajo do të duhej të sillej në mënyrë neutrale, duke mbrojtur interesat e përbashkëta të BE-së e jo vetëm interesat e saj nacionale. Por është e qartë se Spanja do të tentojë që në gjysmën e dytë të vitit, kur ajo do ta ketë drejtimin e BE-së, të mos ketë në duar asnjë dosje të lidhur me Kosovën, përveç atyre ku Kosova bën pjesë si “një prej partnerëve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor“.

“çështje e pakryer“ është edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Ky dialog në vitin 2022 jo vetëm se pati ngecje, por edhe përkeqësim dhe ecje prapa. Raportet jo vetëm se nuk janë normalizuar mes Kosovës dhe Serbisë, por ato janë përkeqësuar edhe më shumë. Aq sa kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se “jemi në prag të konfliktit të armatosur“. Përkundër kësaj, viti 2023 nga diplomatët Evropian në Bruksel konsiderohet si “vit i arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë“. Janë disa rrethana që e bëjnë vitin 2023 si vit që vërtet mund të jetë vendimtar për një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Është ky viti i fundit i plotë i mandatit të Komisionit Evropian, Parlamentit Evropian dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialog, Miroslav Lajçak. Mandati do t’i skadojë edhe përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. Dhe para palëve tashmë është propozimi “evropian“ apo “franko-gjerman” për marrëveshjen bazë mes Kosovës dhe Serbisë. KOHA e ka botuar tekstin e këtij propozimi dhe disa burime diplomatike perëndimore kanë konfirmuar se ai tekst është “i vetmi i besueshëm prej të gjitha versioneve që kanë dalë në media deri tash“. Edhe pse as ai propozim nuk përmban njohjen e ndërsjellë si detyrim, por vetëm pajtimin e Serbisë që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, arritja e një marrëveshjeje të tillë do të ishte maksimumi që BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të mund të bënin. Sepse ndikimi i BE-së dhe i SHBA-së ndaj Serbisë është i kufizuar, pasi Beogradi vazhdon të ketë mbështetje nga Rusia dhe raporte të mira me këtë shtet.

Edhe sa i përket dialogut, viti 2023 mund të jetë një “vit i rezultateve“, por nuk është hera e parë që dëgjojmë në 11 vjetët e shkuar për ndonjë vit se pikërisht ai është “viti kyç“.

i Rusisë ndaj Ukrainës dhe pasojat e tij janë elemente që ndikojnë edhe në raportet mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Edhe këto vende kanë pasur pasoja dhe BE-ja do të vazhdojë t’u ndihmojë që të përballen me to. Ndërkohë, BE-ja ka mirëpritur dhe vlerësuar lart solidaritetin që vendet e Ballkanit, me përjashtim të Serbisë, i kanë dhënë Ukrainës dhe mbështetjen e sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë. Mbështetjen e këtyre sanksioneve BE-ja e konsideron si dëshmi për orientimin e palëkundur të këtyre vendeve për integrime në BE dhe për respektimin e vlerave dhe interesave të përbashkëta gjeostrategjike. Kosova, edhe pse formalisht nuk e ka pasur detyrim, i ka mbështetur sanksionet ndaj Rusisë. Bashkimi Evropian në vitin 2023 do t’i ndihmojë vendet e rajonit që të sigurojnë furnizim me energji, të zbusin efektet negative të krizës, dhe që si për BE-në, ashtu edhe për këtë rajon viti i ri 2023 të jetë një vit i konsolidimit dhe rimëkëmbjes.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit