Dibran Hoxhaj dyshohet se është autori i vrasjes së 31 vjeçarit Visart Cengu nga Kukësi dhe plagosjes së shokut të tij Rufgen Shehu brenda lokalit ‘Kobra City’ në Prizren. Pas përplasjes fizike, konflikti është përshkallëzuar deri në përdorimin e armës. Ka qenë Dibran Hoxhaj i njohur ndryshe si ‘Kobra’ ai i cili ka qëlluar me armë zjarri ndaj tre të rinjve nga Kukësi, duke plagosur njërin prej tyre dhe duke lënë të vdekur 31 vjeçarin. Dibran Hoxhaj nuk është një emër i panjohur për drejtësinë pasi ka qenë i dënuar më parë për trafik droge dhe përleshje fizike jashtë lokalit të tij në Prizren.
Dibran Hoxhaj njihet në Kosovë për jetën e tij luksoze dhe të shkuarën kriminale. Me një pasuri marramendëse, Hoxhaj i reklamonte ato në rrjetet sociale, ku një ndër to ka qenë edhe një makinë tip BMW e larë me diamante të bardhë. Në një intervistë të dhënë për “Prive” vitin e kaluar Dibran Hoxhaj ka deklaruar vetë se është një njeri me probleme dhe se shpesh herë është vënë para drejtësisë. Gjithashtu ai ka treguar se është një besimtar i devotshëm duke u shprehur se besimin në Zot e ka obligim, ndërsa rrugën që ai ka zgjedhur ta vazhdojë e ka vendosur vetë.
“Dikujt mund ti duket luksoze, por është e vështirë ta jetosh sepse gjithmonë duhet të jesh i përgatitur. Duhet të presësh nga konkurrenca duhet të jesh i përgatitur gjithmonë. Nuk e shikoj ndonjë ndryshim që më ka bërë burg sepse i kanë edhe me dëshmi secili prej qytetarëve që ka patur raste sa kam dalë nga burgu nuk ka zgjatur tre javë dhe jam futur prapë. Nuk e lejoj absolut të më ngacmojë dikush. Tani kam ardhur në një nivel që nëse unë sulmoj dikë ai merr famë dhe kështu nuk ja jap atë shans.
Besimi në Zot e kemi obligim kurse natyrën edhe jetën e rrugës Allahu nuk më ka thënë shko në këtë drejtim, e kam zgjedhur vetë. Por detyrimin ndaj Allahut, xhumanë ja kushtoj për namaz atë e kam borxh. Është borxh te Allahu kurse për gjërat e tjera, secili ka për të dhënë llogari për gabimet e veta”, u shpreh ai.