Duke soditur valët e Jonit, këtë fillimviti Kiko ia dedikoi gjithë qenien e tij cerebrale dikotomisë prindi 1 dhe prindi 2 që po futet kontrabandë si bananet në portin e Durrësit
-Mua më njihet vetëm nëna, ndërsa babai jo. Kam dëgjuar një shprehje nga njerëzit : “babai është si cjapi në pyll”.. D.m.th. prindi 1 apo 2? Kush më njihet mua? Kjo është pyetje shekspiriane…
Çuditem me njerëzit. Kanë kaq shumë probleme e halle dhe prap gjejnë kohe t’u përkushtohen ekuacionit prindi 1 e prindi 2.
Nuk e kanë idenë se çfarë po i bëjnë vetes.
Dhe çfarë modifikimesh duhet të bëjnë në ligjërimet e tyre.
P.sh. si do quhet atdheu? Prindi1dhé? Pomëmëdheu? prindi2dhé?
Po kënga e Mentor Xhemalit për ty atdhe? Do të ri titullohet për ty prindi1dhe?
Po gjuha amtare si do të quhet? Gjuha prindit 2?
Po babait si do t’i thërrasë fëmija: o prindi 1 i dashur? Po kur të shajnë nga nëna, siç e kanë zakon shqiptarët nga djepi në varr: të bëfsha prindin 2?! Prindin 2 e ke…
Teksa ishte i zhytur në këto përsiatje filozofike, në shëtitoren e Sarandës po kalonte një grup turistësh nga Kosova. Po këndonin “Oj Kosove oj nëna ime”. Kiko u ngërdhesh kur mendoi vargun e këngës “oj Kosovë o prindi 2”.
Duke u rikthyer në kufijtë londinezë, Kiko mendoi për KM. “Unë jam baba” do të zëvendësohet me “Unë jam prindi 1. Nuk do t’i thërrasin më bablok, por prindi1lok…
Ndërsa atmosfera e Vitit të Ri nuk është larguar, mendja i vajti te babagjyshi. “Ai do të quhet “prindi1 në katror”…
Mendja po i valëzonte më shumë se deti Jon. Po parlamentarët, baballarët e kombit, si do të quhen ? Prindërit njësha të kombit?
A do t’ i lejojë KM? Se nr. 1 vetëm ai është! Nuk mundet të lejojë që njëshi të kthehet në shumës! Asesi
Po prindërit a janë njësha të kombit?
Mendja iu turbullua.
“Po ia mbath deri në Korfuz të kthjellohem, inkurajoi veten Kiko dhe ia mbathi…