Policia arrestoi sot një person me rrezikshmëri të lartë të dënuar më parë për vrasje dhe plagosje. Ai është Shpëtim Kanda 49-vjeç. Ishin banorët e zonës që kanë sinjalizuar policinë.
49-vjeçar u kap në fshatin Hoxharë dhe gjatë kontrollit gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, gati për qitje, dhe një krehër me municion luftarak. Nuk dihet ende se për ku ishte nisur dhe kush ishte shënjestra e Kandës.
Por cilat ishin dy veprat penale për të cilat ishte dënuar më parë?
Shpëtim Kanda në vitin 2007 kreu vrasjen. Pas një sherri për gërvishtjen e makinës u konfliktua me Arjan Dervishin, të cilin e qëlloi më vdekje me 2 plumba në afërsi të plazhit të Darëzezës.
Dervishi, i martuar dhe me 2 fëmijë po nisej për në shtëpi pasi kaloi ditën në plazh. 300 metra larg bregut të detit, në një rrugë të ngushtë, makina e tij u fërkua me atë të Kandës, i cili nuk hezitoi të nxirrte pistoletën dhe ta qëllonte në kraharor duke e lënë të vdekur.
Pas vrasjes, Kanda e braktisi makinën dhe u largua me këmbë, por u kap më vonë. Për këtë ngjarje qëndroi 6 vite në burg dhe më pas u lirua me kusht.
Gjithashtu, Kanda është arrestuar dhe në tetor të vitit 2013 për plagosjen e dy të rinjve. Shpëtim Kanda në bashkëpunim me Arbër Mehmetin në vendin e quajtur “Transport Patos” kanë tentuar të vrasin me armë zjarri pistoletë E.S, 30 vjeç dhe E. S., 21 vjeç.
Por edhe në këtë rast pavarësisht se ishte me precedent ka arritur që t’ia hedhë paq duke dalë nga burgu.