Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka u shpreh sot se janë duke negociuar me Greqinë për të zgjidhur jo vetëm çështjen e kufirit detar, por edhe dosjeve të tjera të vjetra. Mes tyre, tha ministrja është heqja e ligjit të luftës, që do të bënte të mundur që shqiptarët të merrnin pronat që janë sekuestruar në vendin fqinj.
“Jemi duke diskutuar me Greqinë si do të punojmë për të tejkaluar, për të adresuar shumë probleme nga e kaluara. Çështje që janë në interes të dy vendeve tona. Kemi mirëkuptim për të trajtuar të gjithë gamën e çështjeve që janë ende të pazgjidhura.
Nuk bëhet fjalë vetëm për delimitimin e hapësirave detare por edhe për shfuqizimin e ligjit të luftës dhe rrjedhimisht edhe efektet juridike që rrjedhin prej tij, sa i takon të drejtave të pronësisë. Por edhe të respektimit të të drejtave të njeriut, këtej dhe andej kufirit.
Rruga për në Hagë! Ku ka ngecur “deti”? Flet ministrja: Negociatat me Greqinë
Por edhe çështje të tjera të hapura të karakterit kufitar. Riparimi i piramidave kufitare. Në këtë kuadër është edhe çështja e kufizimit të zonave detare me interes për të dyja vendet. Të dyja palët kanë vullnet për ta referuar në Hagë. Në një moment do të kërkojmë autorizimin e presidentit për ta referuar në Hagë.
Në këtë moment, jemi në fazën e punës teknike, për të përgatitur për këto diskutime dhe negociatë për të arritur kompromisin. Një çështje e rëndësishme është fillimi për një marrëveshje për pensionet, që do të përfitonin qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj” tha ajo.
Ligji i Luftës mes Greqisë dhe Shqipërisë vazhdon që nga viti 1940
Abrogimi i tij ka rëndësi të madhe për qytetarët e Shqipërisë. Ai do të bëjë të mundur heqjen nga sekuestrimi preventiv i pronave të shtetit dhe të shtetasve shqiptarë, që vazhdon që nga viti 1940.
Nëse qeveria e Kyriakos Mitsotakis do ta realizojë premtimin kjo pritet të shoqërohet me akte tjera juridike, që do të përcaktojnë instrumentat sesi shteti dhe qytetarët e Shqipërisë do të adresojnë tek autoritetet greke dokumentet që posedojnë për pronat e tyre për të marrë të drejtën e rimarrjes së tyre.