Rozeta Dobi, 49-vjeçe u arrestua bashkë me djalin, Havierin me akuzën e vjedhjes së shtëpisë së personit që e kishte punësuar si pastruese. Duke përfituar nga besimi, arritën që të merrnin shuma konsiderueshme parash dhe sendesh me vlerë, që arrinin vlerën rreth 120 mijë euro.
Konkretisht; 58150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, sende me vlerë (aksesorë floriri) të cilët janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Denoncimi për vjedhjen është bërë më 15 dhjetor, nga pronarja e banesës e cila jetonte bashkë me të bijën, pasi ishte e divorcuar dhe mësohet se ka biznese e të ardhura të bollshme.
Rozeta Dobi së bashku me të birin, Havier, pasi kanë vjedhur paratë kanë blerë 2 makina Benz, të cilat 23-vjeçari i reklamonte në rrjetet sociale. Po ashtu policia ka sekuestruar edhe një makinë të tretë që përdorej nga i riu si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së këtij krimi.
23-vjeçari pas vjedhjes së shumave të konsiderueshme bënte një jetë luksi, duke u shfaqur me veshje e makina të markave të shtrenjta dhe dedikime për nënën, por në fund të dy përfunduan pas hekurave.