Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuar, Kevin McCarthy ka bërë më në fund betimin dhe ligjvënësit republikanë mund të fillojnë tani të punojnë me axhendën e tyre. Republikanët synojnë të vendosin “kontrolle dhe balanca” ndaj administratës së presidentit demokrat Joe Biden.
U deshën katër ditë votime të njëpasnjëshme nga anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve por më në fund Kevin McCarthy u bë kryetar i saj. Premtimi i tij ndaj kolegëve republikanë dhe popullit amerikan: të mbajë nën kontroll administratën e zotit Biden.
Zoti McCarthy arriti të zgjidhej në post, pasi i bëri një sërë lëshimesh grupit kundërshtar brenda partisë, gjë që do të ndikojë tek kompetencat e tij. Tani edhe një anëtar i vetëm i Dhomës mund të kërkojë votim për ta rrëzuar atë nga posti. Në një intervistë në televizionin ABC, ligjvënësi republikan Andy Barr e minimizoi rëndësinë e këtij ndryshimi.
Edhe nëse mbizotëron uniteti, kryetarit të ri të Dhomës së Përfaqësuesve do t’i duhet të gjejë mënyra për të negociuar me administratën e zotit Biden për çështje të mprehta si emigracioni dhe shkurtimet e shpenzimeve, të cilat sipas ligjvënësit republikan Scott Perry janë të nevojshme.
Udhëheqësi i pakicës demokrate, Hakeem Jeffries tha se shpreson të jetë në gjendje të gjejë gjuhën e përbashkët me kryetarin e ri për të mirën e popullit amerikan. Në rrugët e Uashingtonit, amerikanët ndanë me Zërin e Amerikës mendimet e tyre për kongresin e ri.
Këto janë tema të ndjeshme që mund të sjellin në negociata të vështira pasi republikanët kanë një epërsi të lehtë prej vetëm 10 vendesh ndaj demokratëve në sesionin e ri të Kongresit të 118-të./VOA