Nga shtëpia e prokurorit u vodhën katër ora dhe flori, me vlerë gjithsej pesë mijë euro, përveç dy mijë eurove cash, “me teknika ndërhyrëse në dyer dhe dritare, pa i dëmtuar ato. Ishin mjeshtra”. Një tjetër rast vjedhje në Braga që si autorë ka bandën e shqiptarëve, u regjistrua në famullinë e Aveledës, ku shqiptarët kanë vjedhur kasafortën me rreth 100 mijë euro.Banda shqiptare akuzohet se ka kryer vjedhje, me një vlerë prej më shumë se gjysmë milioni euro, nga tetori 2021 deri në shkurt 2022, duke lëvizur çdo ditë midis Minho dhe Galicia, ku banonin tre grabitësit. Edi Gjonaj (43 vjeç) dhe Artur Zisko (46 vjeç), të dy të arrestuar që ndodhen në paraburgim, akuzohen për 11 vjedhje të rëndë (11 të kryera dhe 5 në tentativë) dhe 30 akuza për falsifikim dokumentesh, përfshirë lejen e falsifikuar dhe targat.
Dy të pandehurit kanë qëndruar në heshtje, që nga fillimi i gjykimit, në Pallatin e Drejtësisë në Braga, ndërsa i dyshuari i tretë, Desard Marku (44 vjeç), është arratisur me një makinë të policisë, ndërsa ishte dhe i armatosur. Gjatë gjithë seancave, avokati Tiago Melo Alves, mbrojtësi i dy të pandehurve, ka treguar se provat e procesit bazohen kryesisht në pamjet e kamerave të sigurisë vetëm kur janë ndaluar. Vijojnë hetimet nga ana e policisë spanjolle.