Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në Forumin e Dialogut “Edhe disa hapa drejt BE-së”, të zhvilluar në Vlorë, ku morën pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, dhe miq të tjerë të vendit tonë.
Ambasadori Cremades Ventura theksoi rëndësinë e përfundimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe shprehu mbështetje për reformat e vendit, sidomos në fushat e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Cremades Ventura shprehu shpresën që deri në vitin 2027 të nënshkruhet traktati i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, i cili do të ratifikohet nga 27 vendet anëtare, duke sjellë përfitime për vendin dhe duke forcuar bashkëpunimin dhe stabilitetin në rajon.
“Spanja dëshiron që Shqipëria të jetë sa më pranë standardeve europiane dhe shpreh shpresën që integrimi në BE t’i sjellë vendit përfitime konkrete, duke i bashkuar frytet e zhvillimit të brendshëm me përparësitë e Bashkimit Europian”, deklaroi Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura.









