-sidi education-spot_img
9.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Kritika të shumta! Biden viziton kufirin SHBA-Meksikë

Kryesoret

Presidenti Joe Biden është në Mexico City për një takim rajonal të nivelit të lartë që do të përfshijë homologun e tij meksikan Andrés Manuel Lopez Obrador dhe kryeministrin kanadez Justin Trudeau. Migrimi, ndryshimet klimatike, tregëtia dhe prodhimi janë ndër temat kryesore në axhendën e takimit.

Presidenti Biden mbërriti të dielën vonë në Meksikë pasi vizitoi qytetin El Paso të Teksasit, për të parë nga afër fluksin e mijëra emigrantëve pa dokumente që kalojnë kufirin me Meksikën. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës për emigracionin Aline Barros, kjo ishte vizita e parë e presidentit Biden në kufirin jugperëndimor që nga marrja e detyrës.

Presidenti Joe Biden vizitoi të dielën kufirin SHBA-Meksikë për të parë nga afër sigurinë kufitare. Në udhëtimin e tij të parë në kufi si president, zoti Biden inspektoi një pikëkalimi të ngarkuar dhe eci me oficerët e patrullës kufitare përgjatë murit që ndan Shtetet e Bashkuara nga Meksika.

Presidenti vizitoi edhe një qendër emigrantësh, por ky ishte vendi më i afërt me një pikë ku rreth 400 emigrantë janë strehuar në trotuaret pranë një kishe në El Paso të Teksasit.

“Kam dy fëmijë. Dua t’u siguroj atyre një jetë më të mirë. Nuk dua që ata të kalojnë atë që kam kaluar unë. Këtu, jemi grabitur dhe keqtrajtuar. Nuk ka të drejta njerëzore për ne këtu”, thotë Geremy Mejia, emigrante nga Venezuela.

Vizita e zotit Biden në kufirin SHBA-Meksikë vjen pas njoftimit të administratës së tij për një proces të ri për hyrjen e ligjshme të emigrantëve nga Nikaragua, Kuba, Venezuela dhe Haiti.

Qeveria ndryshoi gjithashtu politikën e deritanishme duke lejuar largimin e menjëhershëm në Meksikë të migrantëve nga këto katër vende që hynë në Shtetet e Bashkuara pa leje.

“Nga sot e tutje qytetarët nga Venezuela, Nikaragua, Kuba dhe Haiti që përpiqen të kalojnë kufirin tonë pa leje, do të dëbohen me shpejtësi në Meksikë, e cila do të pranojë kthimin e 30,000 individëve në muaj që nuk kanë përdorur rrugë të ligjshme.

Në të njëjtën kohë, ne do të mirëpresim deri në 30,000 individë në muaj nga këto katër vende që të vijnë të sigurt për të jetuar dhe punuar këtu për dy vjet”, tha sekretari i Sigurisë Kombëtare, Alejandro Mayorkas.

Sipas programit të ri, emigrantët nga këto katër vende duhet të aplikojnë online, të gjejnë një sponsor financiar dhe të kalojnë kontrollet e sigurisë për një shans për të jetuar përkohësisht në SHBA. Ata që janë tashmë në kufi kanë frikë se mos ndalohen nga oficerët e Patrullës Kufitare.

“Ne nuk mund të kalojmë rrugën sepse oficerët e imigracionit mund të na ndalojnë” thotë emigrantja nga Venezuela, Geremy Mejia.

Republikanët vazhdojnë të kritikojnë qasjen e presidentit Biden për sigurinë kufitare. Guvernatori i Teksasit Greg Abbott i dha presidentit një letër me rekomandime për sigurinë kufitare.

“Kjo vizitë nuk është gjë tjetër veçse për shfaqje, nëse ai nuk fillon të zbatojë ligjet e imigracionit që ekzistojnë tashmë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat janë të përfshira në letrën që i dhashë sot presidentit”.

Të tjerë besojnë se politikat e reja janë shumë të ashpra dhe janë në kundërshtim me ligjet aktuale të azilit.

“Nuk mendoj se presidenti do të ketë kohë të kuptojë se çfarë po ndodh këtu në kufi. …Dëshirojmë që ai të kishte më shumë kohë dhe para shpalljes së ndonjë plani, dëshironim që ai të mund të takohej me njerëz këtu në kufi. Për fat të keq, ai nuk e bëri një gjë të tillë”, thotë Fernando Garcia me organizatën Rrjeti Kufitar për të Drejtat e Njeriut.

Zyrtarët qeveritarë thonë se masat e reja kufitare nuk janë një ndalim i kërkesave për azil sepse ka ende një mënyrë që azilkërkuesit të kërkojnë ndihmë në pikat e hyrjes.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit