KQZ do të vendosë sot për kërkesën e prokurorisë ndaj Agron Kapllanajt dhe Kleo Muratajt. Një vjedhje e kryer afro 20 vite më parë në Itali, po e përndjek ish-kryebashkiakun demokrat të Mallakastrës Agron Kapllanajn.
Ai është dënuar në vitin 2004 nga një gjykatë në Firence me 2 vjet burg dhe 300 euro gjobë për këtë vepër penale, ndaj letrat e tij nuk dalin të pastra kur i nënshtrohet ligjit të dekriminalizimit.
Prokuroria e Përgjithshme i është rikthyer sërish kësaj historie, duke i dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve një skaner të aktivitetit penal të ish-kryebashkiakut.
Sektori i Dekriminalizimit ka bërë një verifikim të thelluar dhe komunikim me shtetin italian për këtë çështje, ku rezulton se Agron Kapllanajt dënimi i është pezulluar me kusht.
Për këtë çështje Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve do të mblidhet sot në 11:30 për të bërë një verifikim më të thelluar jo vetëm për Agron Kapllanajn, por edhe për Kleo Muratajn, i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe që është kandidat për deputet i propozuar nga Partia Social Demokrate e Shqipërisë, qarku Tiranë.