Çështja e kthimit të serbëve të veriut të Kosovës në Polici, mbetet e hapur dhe e paqartë, thotë Verolub Petroniç nga “Qendra Humane e Mitrovicës”, një organizatë që merret me çështjet e sigurisë në veri të Kosovës.
Në fillim të janarit 2023, Policia e Kosovës shpalli konkurs për punësimin e zyrtarëve të rinj nga komunitetet joshumicë për të plotësuar pozitat e lira në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë të Veriut.
Numri i vendeve të punës nuk është specifikuar. Shpallja e këtij konkursi u bë pasi rreth 550 pjesëtarë të komunitetit serb u larguan nga Policia e Kosovës në veri të vendit në nëntor të vitit 2022, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i riregjistruar automjetet me targa serbe në ato të Kosovës – RKS.
Policia e Kosovës nuk u është përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse ka të interesuar për konkursin e shpallur dhe as nëse kanë të drejtë të aplikojnë ish-policët që kanë dhënë dorëheqje. Policia tha vetëm se “kriteret janë publikuar në konkursin e shpallur”, dhe se publiku do të njoftohet me kohë për hapat e mëtejshëm.
Më 28 dhjetor 2022, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “zbrazëtia” e krijuar pas “dorëheqjeve të detyruara”, duhet të plotësohet dhe u bëri thirrje të gjithë serbëve të Kosovës – veçanërisht atyre që nuk kanë pasur mundësi për të pasur një vend pune deri më tani – për të aplikuar për vende të reja pune.
Kush mund të konkurrojë?
Një nga kushtet, megjithatë, është që kandidatët të mos jenë mbi 30 vjeç. Pjesëtarët e komunitetit serb në veri janë integruar në Policinë e Kosovës në bazë të Marrëveshjes së Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të vitit 2013, dhe shumica prej tyre tashmë janë mbi 30 vjeç./REL