Feruzan Durdaj dhe Zamira Durdaj, prindërit e 7-vjeçarit, njërit prej 26 viktimave të Gërdecit i janë drejtuar sot Gjykatës së Posaçme, e cila i njohu me vendimin e mbylljes së hetimeve dhe nisjes së dosjes drejt gjyqit.
“Nuk e di se çfarë ka brenda dosjes, nëse ka prova të reja. Do ta shoh dhe pastaj do të flas. Do të ndjek cdo seancë” tha Zamira Durdaj në dyert e SPAK-ut. Avokati Dorjan Matlija tha se me këtë vendim dosja është rikthyer në vitin 2009.
“Nuk jemi në një moment që mund të komentojmë shumë. na është komunikuar përfundimi i hetimeve. Ne na komunikohet fakti i përfundimit të hetimeve, jo dosja me veprimet hetimore, por konkluzioni që arrin prokuroria dhe koha që u lë palëve për të reflektuar për të hequr apo korrigjuar diçka.
Ne nuk jemi njohur me dosjen. Kjo do të jetë kur dosja të shkojë në gjykatë. Aty do të shikojmë nëse ka materiale të reja.
Por kjo çështje nuk u hetua tani, kjo është e nisur në 2009, një akuzë e komunikuar që në shkurt të 2009 ndaj Fatmir Mediut dhe tani rivitalizohet, pasi është revokuar vendimi i pushimit. Kthehemi në vitin 2009 me këtë vendim” tha ai.
Dje iu komunikua akuza për shpërdorim detyre ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Nga shpërthimi i fuqishëm i 15 marsit të 2008 rreth orës 12:05 humbën jetën 26 persona, mes tyre dhe djali i familjes Durdaj, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë.