Gent Strazimiri e ka konsideruar një veprim donkishotesk vendimin e fundit të Alibeajt për përjashtimin nga grupi parlamentar i PD-së të katër deputetëve të tjerë të rreshtuar me Berishën.
“Individi që përmendët nuk është kreu i grupit parlamentar të PD dhe si i tillë nuk mund të marrë vendime. Ai ka bërë një veprim donkishotesk, qesharak, është i fundmi në shërbim të Edi Ramës, janë veprime të dëshpëruara”, u shpreh Strazimiri.
Ai tha se PD është gati për zgjedhjet e 14 majit, ndërsa përjashton mundësinë që grupi i Alibeajt t’i mbivendosë kandidatë opozitës.
Strazimiri komentoi edhe vjedhjen e bujshme në banesën e zyrtares së shtetit Alda Klosi.
“Drejtësia e re nuk arrin të arrestojë kriminelët, del një pastruese që duke kryer një krim i hap kapakun pusetës dhe del era e qelbur që përpiqet ta mbajë të mbyllur Rama dhe drejtësia e re. 700 mijë eurot e gjetura te drejtoresha janë baraz me shpërblimnin e paketës së luftës apo solidaritetit, nuk e di si e quajti Rama këtë lëmoshën që u dha pensionistëve për Vit të Ri. Paratë po i ha miu në dysheqet e pushtetarëve”, tha ai.