Departamenti Amerikan i Shëndetësisë ka zgjatur përcaktimin e pandemisë Covid-19 si një “urgjencë e shëndetit publik“.
Një vendim që u mundëson miliona amerikanëve të marrin teste, vaksina dhe trajtime falas.
Gjendja e jashtëzakonshme u shpall për herë të parë në janar të vitit 2020, kur shpërtheu pandemia. Që atëherë ajo është rinovuar çdo tre muaj.
Vaksinat dhe mjekimet kanë ulur numrin e vdekjeve nga korona virusi.
Sipas statistikave të CDC në muajt e parë vitit 2021 me fillimin e presidencës së Joe Biden rreth 3 000 amerikanë vdisnin në ditë, një numër që ka rënë në rreth 400.
Me shifrat e fundit të publikuara, rastet e reja janë mesatarisht mbi 67 000 në javë.
Është pikërisht kjo prani e vazhdueshme e pandemisë si dhe faktorët që lidhen me testet dhe vaksina, që çuan në vendimin për një zgjatje të re.