Kreu i ri i SPAK-ut, Altin Dumani ka bërë bilancin e muajit dhjetor. Në datë 19 Dhjetor ai u prezantua në krye të prokurorisë dhe muaji dhjetor është ndarë në drejtim mes tij dhe Arben Krajës që mbylli mandatin tre vjeçar. Në bilancin e publikuar në SPAK vërehen dërgimi dosjesh me 90 të pandehur në gjyq, por edhe sekuestrime dhe bashkëpunim me partnerët. Megjithatë të gjithë presin goditjet në nivelet e larta dhe jo statistika.
BILANCI I MUAJIT DHJETOR 2022
Janë paraqitur 8 kallëzime penale, nga të cilat, për 5 kallëzime është vendosur mosfillim i hetimeve. Janë regjistruar 7 procedime penale, nga të cilët, 2 procedime për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 5 procedime për vepra penale që lidhen me korrupsionin. Janë dërguar për gjykim 9 procedime penale me 90 persona të pandehur, nga të cilët, 2 procedime me 40 persona të pandehur për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar dhe 7 procedime me 50 persona të pandehur për vepra penale që lidhen me korrupsionin. Bazuar në kërkesat e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme, janë miratuar nga Gjykata e Posaçme masa sigurimi personal ndaj 2 personave nën hetim. Pas kërkesave përfundimtare të prokurorëve të posaçëm, janë dhënë nga Gjykata e Posaçme 4 vendime themeli, janë deklaruar fajtorë 21 persona të pandehur. Në kuadër të ligjit antimafia janë dhënë nga gjykata 2 vendime sekuestrimi sipas të cilëve janë sekuestruar:
12 pasuri të paluajtshme;
4 pasuri të luajtshme;
5 subjekte tregtare.
Janë ekzekutuar gjithsej 4 vendime penale të formës së prerë; nga këto, 1 (një) vendim ka marrë formë të prerë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë dhe 3 në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Janë nxjerrë urdhra ekzekutimi për 12 të dënuar. Janë vënë në ekzekutim 2 letërporosi ardhur nga autoritetet e huaja të drejtësisë, si dhe janë dërguar 6 letërporosi për ekzekutim pranë autoriteteve të huaja. Është bërë shpallja në kërkim ndërkombëtar e 6 shtetasve shqiptarë si dhe janë transmetuar pranë autoriteteve të huaja 4 kërkesa për ekstradimin nga Jashtë në Shqipëri të shtetasve shqiptarë.
Sa i përket skuadrave të përbashkëta hetimore në kuadër të procedimeve penale në hetim janë mbajtur 5 takime koordinuese me autoritetet e huaja, palë në këto marrëveshje nga të cilat 1 (një) takim është zhvilluar jashtë vendit dhe 4 takime janë zhvilluar nëpërmjet video-konferencës. Prokurorët e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kanë marrë pjesë edhe në 2 Takime/ Konferenca. U është kthyer përgjigje e plotë 23 kërkesave zyrtare për informacion ardhur nga media dhe shtetas shqiptarë. Është monitoruar ecuria e realizimit të treguesve të buxhetit të SPAK për muajin Dhjetor 2022;
Janë përditësuar të dhënat në sistemin AFMIS lidhur me fazën e III të PBA 2023-2025, në zbatim të Ligjit Nr. 9936/2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe Ligjit 84/2022 “Për buxhetin e vitit 2023”; Është realizuar detajimi i shpenzimeve buxhetore për vitin 2023 në nivel njësie shpenzuese; Janë nënshkruar 14 kontrata furnizim malli/shërbimi në përfundim të procedurës së prokurimit të iniciuar; Ka filluar procedura për hartimin e regjistrit vjetor të parashikimeve për prokurimin publik, mbështetur në nevojat për punë, mallra dhe shërbime për vitin buxhetor 2023, në përputhje me formën, mënyrën dhe afatin e parashikuar në ligjin Nr.162, datë 23.12.2020 “Për Prokurimin Publik”.