-sidi education-spot_img
11.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Artan Fuga: Si i ka zënë për fyti etnokracia shqiptarët në Ballkan!

Kryesoret

Përpara disa vitesh, kam qenë i angazhuar në një projekt studimor mbi ndërkulturalizmin në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, duke përfshirë edhe Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut. Ishte një studim që kryhej nga Katedra e UNESCO-s e Universitetit “Paul Valery” e Strasburgut. Në këtë kuadër u ndodha në Mal të Zi, ku kontaktova drejtues të niveleve të ndryshme të partive politike, veprimtarë politikë, kreva një anketim të pjesshëm të opinionit publik lokal, intervistova personazhe të jetës publike, ndërmora veprimtari vëzhguese në terren, sidomos në zonën e Ulqinit dhe Tuzlës, ndoqa nga afër përmbajtjen e medieve, etj.

Asokohe, sikurse edhe tani, kisha përqafuar shumë nga konceptet e filozofi t të politikës dhe të ndërkulturalizimit, filozofi t të njohur amerikan Majkëll Uoltzër (Michael Walzer). Është pikërisht ky autor, që citohet nga Dritan Abazoviq në librin që kemi në duar “Kritika e etikës globale”. Majkëll Uoltzër, mes të tjerash, trajton edhe çështjen e veprimtarisë politike në shoqëritë multietnike. Ai ka përpunuar konceptualisht trajtesa, që vështirë se mund të mos pranohen. Vërtetësia e tyre konfirmohet edhe nga përvojat tona ballkanike, sidomos në vendet me shoqëri multietnike. Një nga konceptet më interesante të Majkëll Uoltzër është edhe ai i “grupeve etnike totalizuese”. Çfarë kupton Uoltzër me këtë koncept?

Sipas tij, në shoqëritë multietnike, çdo komb ose grup etnik i veçantë, ka prirjen e natyrshme të afirmojë politikisht identitetin e vet kulturor, të pohojë traditat e veta kulturore, gjuhën e vet, të ketë sa më shumë akses në vendimmarrjen politike lokale, apo qendrore, madje edhe të shprehë vullnetin e vet politik nëpërmjet partive politike, apo grupimeve politike, që drejtohen nga një lidership me të një njëjtën përkatësi etnike sikurse elektorati i tyre, ose që kanë programe politike kryesisht vetëm kombëtare apo etnike. Në raste të caktuara, shkruan Majkëll Uoltzër, kjo sjellje politike krijon ato që quhen “grupe etnike totalizuese”. Këto të fundit përmbyllen brenda botes së tyre etnike. Fëmijët e tyre, anëtarët e minoritetit etnik, i çojnë veç në shkolla ku mësohet vetëm gjuha e tyre kombëtare. Ata ndjekin me përparësi vetëm media në gjuhën e tyre kombëtare. Martohen kryesisht me partnerë, që i përkasin vetëm etnisë apo kombit të tyre. Marrëdhëniet e tyre ekonomike kryhen kryesisht vetëm brenda hapësirës, ku shtrihet etnia apo grupi i tyre kombëtar. Kush kërkon të dalë përtej kufijve të grupit etnik, në një marrëdhënie të hapur me botën e gjerë globale, etiketohet si “tradhtar”.

Madje, edhe politikisht anëtarët e grupeve etnike totalizuese shprehen vetëm nëpërmjet partive politike, që programet e tyre i artikulojnë veç në gjuhën amtare të pjesëtarëve të “grupit politik totalizues”, drejtohen nga bashkëkombës të tyre, në programet politike janë të kufizuara vetëm në objektiva, që lidhen me respektimin e të drejtave etnike dhe kombëtare të elektoratit që i drejtohen. Gjithçka përmblidhet kështu brenda “grupit etnik totalizues”: kultura, gjuha, arsimimi, politika, ekonomia. Por, nëse këto grupe janë pakica kombëtare ose etnike, atëherë kjo “sjelljeje patriotike” në politikë, në dukje aq e natyrshme, aq legjitime, aq e konsideruar si vazhdimësi e përpjekjeve shekullore për të mbrojtur dhe shprehur identitetin kombëtar, mund të sjellë edhe pasoja që nuk janë aspak në përputhje me pritshmërinë e sinqertë të bartësve të saj. Grupet kombëtare dhe etnike totalizuese, si këta që përshkruan Majkëll Uoltzër, politikisht mbeten kurdoherë pakicë. Edhe nëse fitojnë disa vende në parlamentet përkatëse, ata asnjëherë nuk u mundësojnë pakicave etnike të ndikojnë në vendimmarrjen legjislative. Më e shumta që mund të arrijnë partitë politike me baza etnike të pakicave, është të bëhen “bishti” i ndonjë partie politike etnike me elektorat më të gjerë. Duke u mbyllur brenda kufijve të ngushtë të asaj që quhet “ekonomi etnike”, doemos operatorët ekonomikë me identitet etnik totalizues, nuk do të kenë mundësi të veprojnë veçse brenda kufijve të biznesit vogël lokal, brenda një ekonomie ngushtësisht familjare, kryesisht në tregtinë e vogël me pakicë dhe në shërbimet e jetës së përditshme, apo në bujqësi.

Të gjithë këta sektorë kanë një fuqi akumulimi relativisht të kufizuar, aq më shumë që klientela e tyre përbëhet gjithashtu nga individët e të njëjtit grup totalizues. Edukimi i fëmijëve vetëm në shkollat etnike, në afatgjatë i bën që këta të mos kenë mundësi të shpalosin më pas energjitë dhe kompetencat e veta në tregun kombëtar, regjional ose global. Ata janë të mbyllur dhe të izoluar gjuhësisht vetëm brenda traditës dhe pasurisë së tyre gjuhësore etnike. E shumta, kanë mundësi vetëm të trashëgojnë pronën dhe profesionin e biznesit të vogël familjar të prindit të tyre. Të ndodhur nën presionin e konkurrencës të ekonomisë globale, operatorët ekonomikë etnikë mbyllen edhe më tepër në vetvete, ndjejnë gjithnjë e më tepër vështirësitë ekonomike, kanë prirjen të varfërohen dhe, mbi të gjitha, ka rrezik të përmbyllen brenda një fanatizmi fetar, kulturor dhe të bien viktima të ideologjive regresive, nacionaliste dhe të kundërshtojnë fatkeqësisht progresin e shkencës dhe teknikës globale. Rreziku është, pra, që “grupet etnike dhe kombëtare totalizuese” të përmbyllen, të vetë-izolohen brenda “getos” së tyre, duke krijuar një realitet të ngushtë social, ekonomik, politik, të veçuar, të ndarë me mure të trashë e të lartë, nga prirjet dhe dinamikat që kanë përfshirë globalisht botën, sikundër e paraqet ky libër i Dritan Abazoviqit. Grupi etnik dhe kombëtar totalizues ndjek taktika dhe strategji politike mbrojtëse, humb gjithnjë e më shumë pozicione në krahasim me të kaluarën, jeton në “bunker”, fsheh kokën si struci përballë rreziqeve, që i kanosen nga shoqëria e hapur. Përkundrejt kësaj, lulëzon ajo që Uoltzër e quan “etnokracia” në aleancë me “etno mediokracinë”.

Lidershipi politik etnik fiton disa vende në parlament, zotëron privilegje dhe avantazhe ekonomike të prejardhura nga fakti, se një pjesë e tij ka mundësi të zërë disa vende pune në administratë, kontrollon një pjesë të pushtetit lokal, por nuk ka mundësi të bëjë më shumë se kaq. Në politikën qendrore, nuk ka mundësi të ketë ndikime. Këtë pozitë të privilegjuar, por aspak efi kase për komunitetin etnik dhe kombëtar, të cilit i përket, e siguron edhe me anë të shtypit të shkruar dhe medieve audiovizive në gjuhë kombëtare, me anë të të cilave artikulon politikën, ideologjinë, strategjinë e vet politike, shpeshherë të ushqyer nga një propagandë me nota false nacionaliste. Sa më shumë elektorati etnik të përmbyllet, në mënyrë izoluese brenda një propagande ideologjike dhe kulturore fanatike, ekstremiste, antiglobaliste, izolacioniste, aq më shumë do të forcohet etnokracia dhe mediokracia, aq më pak zhvillohen mundësitë, që minoriteti etnik apo kombëtar të hapë horizonte të tjera dhe perspektiva sociale dhe politike të reja përpara vetes. Libri i Dritan Abazoviq, sigurisht nuk ka si objekt këto analiza. Por, ai na tregon qartësisht në rrafshin teorik, se në epokën globale, fatet e pakicave nacionale dhe etnike nuk mund të luhen dhe të zgjidhen brenda kufijve të ngushtë të territorit, të fshatit, të lagjes, të malit, të qytetit, ku shtrihet vendbanimi i çdo pakice nacionale.

Arritjet politike të suksesshme, nuk mund të realizohen brenda partive politike etnikisht të pastra. Politika në epokën globale është produkt i elektoratit masiv, që shtrihet në të gjithë territorin e shtetit. Shumicat që kontrollojnë logjikën e shpërndarjes të pushtetit, nuk krijohen dot brenda pakicave nacionale dhe etnike të izoluara. Punësimi brenda territorit ku banon një pakicë etnike, është shumë i kufizuar. Kultura gjithnjë më shumë qarkullon në qendrat më të rëndësishme të shkencës, artit, kulturës, të dijes universitare, që gjenden përtej rrjetit të institucioneve të edukimit dhe të shkollimit që kontrollohen nga intelekto-kracia etnike. (A është e rastit që Dritan Abazoviq zgjedh për të mbrojtur doktoratën e tij në Universitetin multikulturor të Sarajevës?). Strategjia e lulëzimit kulturor, ekonomik, politik të grupeve etnike dhe kombëtare, duket se luhet përtej etnopolitikës dhe etnokracisë. Pjesëtari i grupeve etnike, shkruan Majkëll Uoltzër, në kushtet e urbanizimit global ka identitet të shumëfishtë. Etnikisht, ai është pjesëtar i grupit të vet etnik, sigurisht. Por, nëse ka një status ekonomik të caktuar, ai ka identitet ekonomik të ngjashëm me individë të tjerë, që nuk i përkasin vetëm etnisë së tij. Si qytetar, ai ka të njëjtat interesa për të pasur një administratë të pa korruptuar, sikurse qytetarë të tjerë që nuk kanë të njëjtën përkatësi etnike si e tij. Ka nevojë për sistem gjyqësor efi kas dhe të drejtë si të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia e tyre kombëtare. Si prind nxënësish, ka nevojë për shkollim cilësor si të gjithë prindërit e tjerë, pavarësisht se cila është përkatësia e tyre etnike. Me një fjalë, individi në shoqërinë multietnike, sikurse edhe në shoqëri të tjera, ka identitet plural. Ai nuk mund të përmbyllet vetëm brenda “bunkerit” të tij etnik dhe kombëtar. Individi, që bën pjesë në një grup etnik, ka gjasa të ketë më shumë interes, që, duke ruajtur identitetin e tij kombëtar, kulturor, gjuhësor, të paraqitet në hapësirën publike si qytetar. Si i tillë, të kërkojë të shprehet politikisht jo thjesht nëpërmjet etnokracisë politike, por duke e gjetur veten në të gjitha ato grupime politike mbi kombëtarë, multietnike, që i përshtaten më mirë interesave të tij. Orientimi i tij politik ka më shumë mundësi të jetë ideologjik, voluntarist, se sa substancialist etnik.

Idetë e Majkëll Uolltzërit, të cilin Dritan Abazoviq e citon saktësisht në librin e tij, më silleshin ndërmend ndërkohë që janë zhvilluar këto vitet e fundit dy palë zgjedhje për në parlamentin e Malit të Zi. Politikanët e të gjithë krahëve në Shqipëri, kanë bërë thirrje që shqiptarët të votonin për partitë politike shqiptare!!!

Ndërkaq Dritan Abazoviq, duke qenë në krye të lëvizjes politike qytetare ARU (ura), pjesë e Partisë së Gjelbër Evropiane, ka zhvilluar fushata politike jo thjesht me program politik etnik. Ka evituar të paraqitet si pjesë e etnokracisë etnike. Është përpjekur të formësojë organizimin e tij politik, me pjesëmarrje intelektualësh, politikanësh, liderësh opinioni, që i bashkojnë idetë politike për të ardhmen e vendit të tyre dhe jo përkatësia e njëjtë kombëtare. Në qendër ka vendosur qëllime politike, që sigurisht u interesojnë fuqimisht edhe shqiptarëve në Mal të Zi, por edhe të gjitha grupeve të tjera kombëtare. Sigurimi i pavarësisë të Malit të Zi nga Serbia, orientimi drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO, lufta kundër korrupsionit, përforcimi i arritjeve demokratike, mbrojtja e të drejtave të grupeve etnike dhe kombëtare, etj., janë disa prej tyre. Pyesja veten, duke e botuar edhe publikisht shqetësimin tim: Në emër të kujt politikanët e Shqipërisë u bënin thirrje shqiptarëve në Mal të Zi për të votuar “vetëm për partitë shqiptare”? A nuk ishin këto parti politike në aleancë me parti politike “jo shqiptare”? Ku është këtu politika “pastërtisht shqiptare” atëherë? Nëse, ta zëmë, politikanët maqedonas dhe ata grekë do të bënin të njëjtën thirrje, pra për të votuar në Shqipëri për parti politike eventualisht me drejtues me origjinë etnike e kombëtare maqedonase ose greke, si do ta kishim pritur këtë ne? A nuk do të kishte qenë një ndërhyrje në politikën e brendshme të Shqipërisë? Nëse minoritetet ose edhe shumicat etnike, do të kishin votuar vetëm etnikisht, vetëm për partitë e tyre etnike, çfarë do të mbetej nga frymëzimi demokratik dhe multikulturor i vendeve të Ballkanit? A nuk do të kishim vetëm enklava etnike në Ballkan, në vend të shkohej drejt hapësirave publike demokratike multietnike, të hapura për veprimin qytetar, pavarësisht përkatësisë së tij etnike? Dhe mbi të gjitha: A do të dëgjonin votuesit shqiptarë në Mal të Zi thirrjet dhe orientimet e politikanëve të Shqipërisë për të mbetur “grupe etnike totalizuese”? *

Libri “Kritika e etikës globale” e Dritan Abazoviqit gjithsesi qëndron shumë mirë si vepër intelektuale, pavarësisht praktikës së tij politike. Frymëzimi intelektual i autorit si mendimtar dhe veprimtaria e tij politike, sigurisht nuk ka si të jenë pa lidhje me njëra-tjetrën. Globalizimi thërret, nënkupton ai, që politika të marrë forma të reja përtej mbylljes dhe vetizolimit kombëtar. Mirëpo, sado të lidhura të jenë libri dhe aksioni politik i autorit, ata janë dy produkte të ndryshëm. Unë nuk mund ta di nëse një politikë përtej gardheve të etnokracive politike do të kenë ose jo të ardhme në kohën e afërme politike në Mal të Zi apo gjetiu. Pavarësisht se globalizimi i botës hap horizonte për këtë. Por, tjetër është parimi, tjetër realiteti historik. Ndofta e ardhmja do të krijojë kushte më të mira, për ta kapërcyer etnopolitikën e ngushtë. Pavarësisht së ardhmes politike të autorit, libri i tij “Kritika e etikës globale” mbetet një arritje intelektuale e pakapërcyeshme e tij dhe një kontribut shumë i rëndësishëm në botimet në shqip.

Një frymëzim intelektual, që nëse nuk do ta ndryshojë ndofta fare mendësinë e politikanëve shqiptarë, të paktën do të ndikojë që ata të reflektojnë duke parë me dyshim atë që bëjnë. Do t’i çojë ata drejt pyetjes: A mund ta drejtojmë politikisht elektoratin shqiptar, sikurse kjo bëhej në epokat para-globale? A mund të mendohet demokratizimi i shteteve ballkanike, duke u mbështetur në logjikën e enklavave etnike totalizuese? Mbyllem unë në bunker, sepse mbyllesh ti!!! Mbyllesh ti, sepse jam mbyllur unë!!! Por, në fund të gjithë rezultojmë të mbyllur. Apo përmbi malazezin, turkun, serbin, shqiptarin, romin etj., në Mal të Zi do të vijnë kohët që politika do të kërkojë thjesht qytetarin? Libri në shqip është një urë dhe portë për lexuesin shqiptar kudo në Ballkan, për të njohur dhe reflektuar thellë për globalizimin, ndaj të cilit jeta e tij kudo që ai jeton, sikurse edhe veprimtaria e tij politike kudo që kryhet, nuk mund të mbeten indiferente. Sikurse të gjithë popujt e botës, edhe shqiptarët, si qytetarë, nuk mund të sillen kulturalisht, ekonomikisht, politikisht, sikurse të ishin ende në shekujt e kaluar.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit