Ka ndërruar jetë sot në moshën 58-vjeçare zyrtari i lartë i intelegjencës në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, kolonel në TMK dhe luftëtari orëve të para të UÇK-së, Cen Aliçkaj pas një sfide të madhe me sëmundjen e rëndë.
Cen Aliçkaj ka qenë aktiv në veprimet kombëtare të viteve 1981, 1982 dhe gjatë gjithë jetës. Në vitin 1982 u burgos politikisht dhe nuk ka qenë hera e parë.
Në fund të viteve 80 dhe në fillim të viteve 90, Cen Aliçkaj ka qenë njëri ndër organizatoret kryesor të Lëvizjes së Studentëve dhe të aksionit të pajtimit të gjaqeve.
Për shkak të ndjekjeve nga pushteti i atëhershëm në fillim të viteve të 90-ta ai emigroi në Gjermani.
Ai edhe atje e ka vazhduar veprimtarinë kombëtare, bashkë me shumë veprimtarë të tjerë.
Veprimet ushtarake të Cenës kanë qenë të një niveli të lartë të trimërisë dhe atdhedashurisë.
Në ditët e fundit të luftës ai ishte plagosur, duke e tërhequr kufomën e bashkëluftëtarit Xhemajl Fetahaj.
Ai ka shërbyer edhe në TMK dhe FSK. Cena ka qenë prej atyre luftëtarëve që i ka dhënë krejt çka ka pasur për atdheun e nuk ka kërkuar asgjë prej tij.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka deklaruar se Cen Aliçkaj ka qenë njëri prej luftëtarëve më të zotë të UÇK-së në Dukagjin.
“Kur po i formonim rreshtat e parë të UÇK-së, ndër të parët që hyri në rreshtin e ushtarëve ishte edhe Cen Aliçkaj. Ishte luftëtar i fortë, njëri prej luftëtarëve më të zotë të UÇK-së në Dukagjin! Sot, në paqe, Cena na u nda nga rreshti për t’ju bashkuar shumë burrave të kombit që i kishte përkrah luftës për liri.”, ka shkruar Hardinaj në Facebook./ Express









