-sidi education-spot_img
26.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Avokati i Popullit: Policia mund të parandalonte vdekjen e Lear Kurtit

Kryesoret

“Punonjësit e policisë kanë qenë të paqartë dhe nuk kanë marrë masa kur Lear Kurti është ndjerë keq. Vdekja mund të ishte parandaluar në kushtet e veprimeve apo mosveprimeve që përfaqësuesit e rendit publik kishin si detyrim të kryenin”. Kështu thuhet në raportin e Avokatit të Popullit për vdekjen e të riut Kurti në 19 Tetor të vitit të kaluar, që sipas autopsisë ndërroi jetë nga mbidoza e kokainës që gëlltiti për të mos u zbuluar nga policia pas ndjekjes.

Më tej, Avokati i Popullit thekson se gjatë shoqërimit të Kurtit emri i tij nuk është shënuar në regjistrin e të shoqëruarve në ambientet e komisariatit. “Gjithashtu u krye këqyrja e regjistrit të shoqërimit ku duhet të pasqyrohen rastet e shoqërimit. Gjatë këqyrjes së dokumentacionit të sipër përmendur, rezultoi se shtetasi Lear Kurti nuk ishte i evidentuar në këtë regjistër pas shoqërimit të tij në ambientet e komisariatit.

Bazuar në rregullat e shoqërimit të personave në ambientet e komisariatit duhet mbajtur procesverbali i dokumentimit të veprimeve të kryera me personin e shoqëruar pas kryerjes së veprimeve të verifikimit e sqarimit të rastit për personin, nga punonjësi i policisë, si dhe dokumentimi i të dhënave, gjeneraliteteve të shtetasit për kohën hyrjes dhe qëndrimit të tij në Komisariat, cilësinë dhe shkaqet ligjore të kufizimit të lirisë”, thuhet në raport.

Që raste të tilla të mos përsëriten më në të ardhmen, Avokati i Popullit lë disa rekomandime për drejtorin e policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku. “Marrjen e masave për zbatimin efektiv të garancive ligjore të qytetarëve në lidhje me ruajtjen e shëndetit dhe të mirëqenies së tyre në momentet e para të shoqërimit nga Punonjësit e Policis; Marrjen e masave të nevojshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit për të ushtruar kontroll në mënyrë të vijueshme në të gjitha strukturat vendore të policisë lidhur me zbatimin e kritereve të shoqërimit të shtetasve dhe respektimin e të drejtave ligjore të personave të shoqëruar si dhe ushtrimit nga titullarët të kërkesave rigoroze llogarie për zbatim të procedurave në rastet e shoqërimit të personave;

Marrja e masave nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit që çdo shoqërim i personave në ambientet e policisë së shtetit të jetë i arsyeshëm dhe të ketë indiciet e duhura bazuar në ligjin për policin e shtetit i cili ka përcaktuar qarte rastet kur personat shoqërohen në ambientet e Policisë së Shtetit;  Përgjithësimin e këtij rasti në të gjitha strukturat vendore të Policisë së Shtetit, me qëllim mos përsëritjen e shkeljeve të tilla në të ardhmen nga punonjësit e policisë; Marrjen e masave të nevojshme për zbatimin e detyrimeve ligjore për plotësimin e Formularit të Raportit të Shoqërimit në çdo rast shoqërimi të shtetasve sapo ata sillen në organin e Policisë; Për shqyrtimin e këtij rekomandimi dhe qëndrimin që do të mbani ndaj tij, lutemi të vihemi në dijeni brenda një afati të përshtatshëm” mbyllet raporti.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit