Në qytetin e Shkodrës, Policia e Shtetit ka shkulur një sasi kamerash vëzhgimi, të vendosura… nëpër shtyllat e ndriçimit publik. Nga sa thuhet në medie, këto pajisje nuk janë vendosur zyrtarisht nga ndonjë ent publik me qëllim sigurinë qytetare. Ndërkohë, pronësia e tyre ka ngelur jetime. Në kushte të tilla duket qartë që kemi të bëjmë minimalisht me një akt ilegal, qëllimi i të cilit vetëm në të mirë të qytetarëve nuk mund të jetë. Për të mos thënë me këtë rast se grupet kriminale në këtë qytet dhe në ndonjë tjetër kontrollojnë njëri-tjetrin nëpërmjet vendosjes së kamerave, tani edhe në hapësira publike. Kjo, sepse në hapësirat private është çështje privatësie. Fakti duket i rëndë, ndaj dhe në këtë kontekst Policisë i duhet të marrë masa së më të shpejta në tërësinë e sistemeve të kamerave të vëzhgimit në hapësirat publike.
Dinamika e teknologjisë së vëzhgimit me kamera, telekamera dhe mikrokamera dëshmohen nga moria e pamjeve filmike që paraqesin rëndom ngjarje kriminale dhe jo në të gjitha rrjetet e komunikimit elektronik dhe televiziv. Pamje këto që ilustrojnë çdo ditë kronikat e zeza gazetareske. Shpesh pamjet e këtyre kamerave kanë ndihmuar në zbardhjen e disa ngjarjeve të rënda të kryera nga kriminelë dhe në disa raste të tjera edhe nga vetë Policia. Nga ana e saj, kjo e fundit i shfrytëzon rregullisht pamjet filmike të të gjitha kamerave në hapësirat publike dhe private për të kryer misionin e saj. Në këtë kontekst, pavarësisht pozitivitetit apo negativitetit në përdorimit të imazhit të kamerave, askush nuk kujdeset për ligjshmërinë e tyre dhe aq më pak për privatësinë e individëve që preken.
Pyetja e parë që duhet bërë është më se normale: A është e vendosur gjithë kjo mori kamerash nëpër hapësirat publike e private në përputhje me ligjin? Po ashtu, pozicionimi i këndit të marrjes së pamjeve të tyre është bërë në përputhje po ashtu me ligjin? Kjo e fundit do të thotë që të gjitha kamerat e vendosura në pjesën e jashtme të ambienteve private duhet të kenë një kënd të tillë që të mos të filmojnë hapësirën publike. Rasti i shkuljes së kamerave nga shtyllat e ndriçimit të hapësirave publike në Shkodër flet për të kundërtën dhe më keq. Në tërësi duket se gjithë interesi në përdorimin e kamerave të vëzhgimit nuk është ligjshmëria e vendosjes së pajisjes, por shfrytëzimi me çdo mënyrë i pamjeve të nxjerra prej saj. Askush që shfrytëzon këto pamje nuk kujtohet të respektojë ligjshmërinë e vendosjes së tyre, si nga ata që u duhen për të ndjekur krimin dhe të tjerë që kërkojnë të bëjnë publike diçka me interes.
Rasti i Shkodrës mbetet flagrant, por ai duhet të shërbejë si kambanë alarmi për Policinë e Shtetit, së cilës i duhet t’i rikthehet me seriozitet dhe rigorozitet zbatimit në vazhdimësi të ligjit nr.19/2016 “Për masat shtesë të Sigurisë Publike” apo të quajtur ndryshe “ligji i kamerave” dhe udhëzimeve të dala në zbatim të tij. Nëse më pas do të konstatohen detyrime, të cilat duken të pavend, ajo të marrë nisma ligjore për t’i ndryshuar dhe për ta prurë ligjin me këmbë në tokë. Rasti i ndodhur në Shkodër tregon, për fat të keq, pastër se ligji në fjalë nuk është respektuar dhe duket se është shfrytëzuar mirë nga autorët që kanë vendosur kamerat në fjalë. Dhe ligji 19/2016 detyron gjithë subjektet publike të marrin masa shtesë sigurie në sheshe të hapura, parqe, kënde lojërash, në mjedise të hapura apo të mbyllura që kanë në administrim apo pronësi dhe që sipas vlerësimit të Policisë së Shtetit përbëjnë rrezik të shtuar për rendin dhe sigurinë publike. Dhe pjesa dërrmuese e këtyre masave ka të bëjë me vendosjen e kamerave.
Procedura e vendosjes së kamerave në të gjitha hapësirat publike dhe private si detyrim i këtij ligji fillon me vlerësimin që u bën Policia të gjithave si burim rreziku të shtuar. Pra, është Policia ajo që i vlerëson dhe më pas detyron entet pronare të vendosin pajisje sigurie (ndërmjet tyre edhe kamera) sepse siç e thotë edhe ligji, kemi të bëjmë me hapësira të hapura publike. Kjo do të thotë që Policia e Shtetit duhet të jetë mjaft e informuar dhe ta ketë të regjistruar se ku dhe çfarë lloji kamerash janë vendosur në një vend të caktuar. Rasti në Shkodër tregon të kundërtën. Në vazhdim, gjithmonë sipas kërkesave të ligjit në fjalë, pas detyrimit të përcaktuar nga ana e Policisë, në bashkëpunim me të, enti i interesuar publik apo privat, duhet të vendosë teknologjinë e duhur dhe në rastin konkret kamerat. Duket që fryma e ligjit e detyron gjithë procesin e vendosjes së kamerave të vrojtimit nën shoqërimin e Policisë dhe me investimin financiar të entit. Por jo vetëm kaq.
Pasi ka vendosur kamerat e sigurisë, enti ka një afat ligjor brenda të cilit duhet të njoftojë Policinë se e ka përfunduar procesin. Kjo e fundit ka detyrimin që në vazhdim të të kontrollojë ligjshmërinë dhe efikasitetin e vendosjes së tyre. Me të përfunduar masat e sigurisë së shtuar, bëhet njoftim dhe Policia i lëshon entit të interesuar një dokument të quajtur “Certifikatë e Sigurisë”. Gjithmonë sipas ligjit, edhe pas marrjes së certifikatës, enti publik apo privat i nënshtrohet kontrolleve periodike të Policisë së Shtetit nëse ruan standardin e certifikuar ose jo. Në rast se jo, atij i hiqet certifikata. Ndërkohë, të gjithë entet që nuk zbatojnë këtë ligj, dënohen me gjobë.
Ligji është mjaft i qartë, por zbatimin e tij le ta analizojë vetë Policia e Shtetit. Mjafton të shohë sasinë e certifikatave të lëshuara prej saj, për të ditur se ku qëndrojnë problemet. Po a ka lëshuar certifikata të tilla Policia? Edhe këtë gjë, le ta analizojë vetë ajo. A janë kryer kontrolle periodike të enteve të pajisura me këtë dokument? Sa certifikata janë tërhequr si rezultat i moszbatimit të masave të sigurisë sipas këtij ligji? Edhe këtë aspekt le ta analizojë vetë Policia. Megjithatë, mund të thotë dikush, rasti i Shkodrës nuk lidhet me zbatimin e këtij ligji. Jo. Ligji ka edhe një nen tjetër, i cili shprehet:
Policia e Shtetit identifikon të gjitha subjektet që disponojnë dhe administrojnë sisteme të sigurisë, si kamera për regjistrim të pamjeve filmike, ÇTV me rezolucion të lartë, me rreze infra të kuqe dhe që ruajnë imazhet filmike në NRV/Server deri në 2 muaj apo përdorin pajisje elektronike të teknologjisë së lartë për identifikimin, në funksion të sigurisë (detektorë, ura kontrolli, reader, GPS etj.), me qëllim njoftimin dhe regjistrimin e tyre në regjistrin e të dhënave, të ngritur sipas pikës 2 të këtij neni. Nëse Policia do të kishte zbatuar me korrektësi këtë ligj, ato kamera nuk do të guxonte askush t’i vendoste për të sfiduar kaq hapur sigurinë e qytetarëve.