I dërguari special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin, ka folur lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.
Sarrazin është shprehur se qëndrimi i Berlinit është se Serbia nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian pa e njohur Kosovën.
Gjithashtu ai ka theksuar se pa media dhe demokraci të lirë Serbia nuk mund të hyjë në familjen europiane.
Si i përjetoi Gjermania protestat e serbëve nga Kosova dhe barrikadat që ishin në veri në fund të dhjetorit?
Situata në veri të Kosovës, nga pikëpamja gjermane, ishte shumë e rrezikshme. Është ende shumë e rrezikshme. Kemi një situatë ku shërbimet themelore shtetërore, siç janë shërbimet e sigurisë, aktualisht nuk mund të ofrojnë siguri për serbët, por edhe për qytetarët e tjerë të Kosovës.
Prandaj mendoj se është e rëndësishme të përshpejtohet procesi i kthimit të serbëve në institucionet e Kosovës. Personalisht i kuptoj emocionet e serbëve nga veriu i Kosovës, por më e rëndësishmja edhe për ta është që bashkësia ndërkombëtare të bëjë gjithçka për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.
Kjo është një nga arsyet pse ne mbështesim Miroslav Lajçakun dhe Bashkimin Evropian, për të kontribuar në deeskalimin e situatës në terren përmes dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ne e kemi të qartë se gjithçka nuk ka përfunduar ende, por të paktën tensioni është dukshëm më i ulët se sa ishte në dhjetor.