Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar që në ditët në vijm mund të ketë vërshime në disa pjesë të Kosovës, si pasojë e reshjeve të shiut.
Në një postim në Facebook, ky Institut ka thënë se reshjet e ditëve të fundit veçse kanë shkaktuar vërshime të lokalizuara në pjesën perëndimore, veriperëndimore dhe veriore të Kosovës.
Si pasojë e reshjeve, Instituti ka thënë se mund të jenë shkaktuar rrëshqitje të dheut, mbyllje të kanalizimeve dhe vështirësi në qarkullim.
Në nëntor të vitit të kaluar, qytetet si Istogu, Peja, Vushtrria dhe Juniku janë përballur me vërshime, pikërisht për shkak të reshjeve të shiut.
Në këto qytete është raportuar për dëme nëpër shtëpi, biznese, kultura bujqësore dhe rrugë.
Ndërkohë në Komunën e Mitrovicës, lumenjt si Ibri, Sitnica dhe Lushta kanë dal nga shtrati i tyre duke shkaktuar shqetësim të madh tek banorët, pasi uji ka hyrë në zonat e banuara si dhe në toka bujqësore dhe bllokim të rrugëve.
Ndërsa Komuna e Gjakovës ka bërë thirrje që qytetarët të bëjnë kujdes të shtuar si dhe të bashkëpunojnë me institucionet e tyre.
“Meqenëse gjatë këtyre ditëve kemi pasur reshje të theksuara atmosferike e situatë të njëjtë pritet të kemi edhe ditëve në vazhdim, kërkojmë nga të gjithë qytetarët e komunës së Gjakovës që të jenë vigjilentë dhe të bashkëpunojnë me institucionet tona: me Emergjencat në Komunë, me Policinë e Zjarrfikësit në mënyrë që për çfarëdo rasti eventual ekipet tona, të cilat janë në teren, të jenë sa më të informuara dhe të intervenojnë sa më shpejtë”, kanë shkruar në Facebook.