Për shkak të reshjeve të shumta të shiut, në disa komuna të Kosovës ka pasur vërshime. Përveç në Skënderaj që është shpallur gjendje të jashtëzakonshme, në komuna tjera, situata është më e qetë, por që mund edhe të ketë rrezik nëse vazhdojnë reshjet. Komuna e Skënderajt ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme. Kryetari i kësaj komune, Fadil Nura ka thënë se gjendja në disa fshatra është jo e mirë.
“Si rrjedhojë e reshjeve të panderprera, nga e cila gjendje është rënduar situata në përgjithësi, si dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, kam marrë vendim që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme në gjithë territorin e komunës sonë.
Kam formuar gjithashtu Shtabin Emergjent, i cili tashmë ndodhet në teren dhe po e bën punën e vet. Që nga orët e mengjesit, secila drejtori me njësitë dhe shërbimet vartëse, ndërkohë që edhe me mbështetje të Shërbimit të Zjarrfikësve, është angazhuar të bëjë maksimumin e punës që situata të jetë nën kontrollë, me gjithë vështirësitë dhe kapacitetet ekzistuese karshi sasisë së madhe të ujit nga reshjet e shiut.
Në disa fshatra gjendja është jo e mirë, ndërkohë që ekipet dhe shërbimet komunale me makinerinë e punës po i trajtojnë me kujdes telashet e shkaktuara”, ka shkruar Nura në Facebook. Ndërsa, situatë më e qetë është në Vushtrri. I pari i kësaj komune, Ferit Idrizi, tha se janë duke e përcjell gjendjen. “Jemi duke e përcjellur gjendjen. Janë vërshuar dis pjesë të rrugëve, mirëpo situata është ende nën kontroll. Lumi ‘Sitnica’ është në nivel normal, por nëse situata përkeqësohet, duhet të shpallim gjendje të jashtëzakonshme”, tha Idrizi.