Kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj ka kërkuar hetim të plotë të raporteve dhe lidhjeve të Edi Ramës me ish-zyrtarin e lartë të FBI-së, Charles McGonigal që u arrestua. Deputeti demokrat kërkon që të lihet pas retorika dhe të hetohet për të bërë transparencë të plotë se deri ku shkojnë lidhjet e kryeministrit shqiptar me ish-zyrtarin amerikan.
“Akuzat e Departamentit Amerikan të Drejtësisë ndaj ish zyrtarit të lartë të FBI McGonigal për përfshirjen në transaksione të paligjshme financiare me një oligark rus ku bën pjesë udhëtimi i tij në Shqipëri dhe takimi me Edi Ramën në vitin 2017 kërkojnë urgjentisht transparencë dhe hetim të thelluar. Retorika boshe për konsumin e politikës së ditës nuk e zbardh këtë çështje tepër të rëndësishme për marrdhënien e Shqipërisë me SHBA. Zbardhja sa më parë dhe transparenca e plotë është ajo që ndihmon jo vetëm për informimin e saktë të publikut por dhe për ruajtjen e marrdhënies së shëndetshme me partnerin tonë strategjik” shkruan Alibeaj. Edi Rama e ka pranuar më parë se e ka mik.
Ish-zyrtari i lartë i FBI-së, Charles McGonigal u arrestua për lidhje me oligarkun rus Oleg Deripaska, një miliarder rus i cili është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe është hetuar vitin e kaluar për shkelje të këtyre sanksioneve. McGonigal doli në pension nga FBI në vitin 2018. Ai u arrestua të shtunën pasdite pasi mbërriti në aeroportin JFK pas udhëtimit në Sri Lanka, thanë burimet.
Ai u akuzua së bashku me një përkthyes gjyqësor, Sergej Shestakov, i cili gjithashtu punonte me Deripaska. McGonigal, 54 vjeç, akuzohet për shkelje të sanksioneve të SHBA-së duke u përpjekur të largojë Deripaskën nga lista e sanksioneve. McGonigal është një nga ish-zyrtarët e rangut më të lartë të FBI-së i akuzuar ndonjëherë për një krim. Të dy, McGonigal dhe Shestakov përballen me akuza për pastrim parash përveç akuzave për shkelje të sanksioneve. Secila nga katër akuzat mbart një dënim maksimal prej 20 vjetësh burgim.